Kronike
U vra në derë të shtëpisë, si u godit për vdekje me kaçavidë 26-vjeçari
Orët e vona të mbrëmjes së djeshme, një ngjarje e rëndë u shënua në fshatin Homesh të njësisë administrative Shupenzë, Bulqizë.
30-vjeçari Dorjan Dema, baba i dy fëmijëve, ka vrarë me kaçavidë 26-vjeçarin Dritan Manjani.
“Në orët e vona të mbrëmjes, në Shupenzë shtetasi D.D., 30 vjeç, banues në fshatin Homesh, për motive të dobëta është konfliktuar me shetasin D.M., 26 vjeç, banues në Homesh. Gjatë konfliktit 30-vjeçari e ka goditur me kaçavidë 26-vjeçarin, i cili si pasojë e plagëve ka humbur jetën në spital. Shërbimet e Policisë falë reagimit në kohë, lokalizuan, kapën dhe arrestuan autorin e ngjarjes shtetasin D.D”, njoftoi policia.
Sipas dëshmive të fqinjëve, viktima dhe autori mbrëmjen e djeshme ndodheshin në në njëjtin lokal. 26-vjeçari kishte qenë duke pirë kafe me një nga fqinjët që ka dëshmuar, ndërsa 30-vjeçari ndodhej në një tavolinë ngjitur me meze dhe alkool dhe disa djem të tjerë.
Mësohet se aty brenda ka patur një zënkë mes të rinjve. Vetëm pak minuta më vonë, pranë banesës së viktimës kanë shkuar dy makina dhe i kanë rënë borive.
Në këtë moment ka dalë nga shtëpia 26-vjeçari, i cili po konsumonte darkë me familjen. Dyshohet se ai është goditur menjëherë nga autori. Familjarët dhe të afërmit e viktimës e kanë transportuar me urgjencë për në spital, por fatkeqësisht Manjani nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.