Politike
U vra poshtë urës/ Deputetja e PD-së reagon ashpër: Policia dhe shoqëria ka dështuar
Deputetja demokrate Merita Bakiu ka reaguar pas vrasjes së 32-vjeçares në Durrës, e cila u gjet e vdekur poshtë urës së Dajlanit. Bakiu thotë se ngjarja të tilla tregojnë se si ka dështuar shoqëria, drejtësia e Policia.
Ajo i bën thirrje sistemet të drejtësisë që mos të japin vendime të anuara apo mos të vonojnë vendimet për dhunën ndaj grave. Bakiu shkruan se vrasja e grave në vendin tonë është një lajm që përsërit ndërsa ngre zërin për të tjera gra që kanë frikë të reagojnë e të denoncojnë për dhunën që iu ushtrohet.
“Vrasja e grave në këtë vend është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Është drithëruese dhe keqardhëse. Është trishtuese dhe ulëritëse për shoqërinë e familjen. Për një nënë sot jeta nuk do të jetë më e njëjtë… Një grua tjetër diku aty në mesin tonë e cila dhunohet dhe ka frikë të reagojë e denoncojë do të flejë e shqetësuar me mendimin se nesër edhe ajo mund të ketë të njëjtin fat.
Thirrje sistemit të drejtësisë për më shumë kujdes, përgjegjësi e profesionalizëm; për të mos pasur vendime të anuara e të motivuara apo vonesa të paarsyetuara që prodhojnë viktima e dhunues. Ngjarje të tilla tregojnë se ka dështuar shoqëria, drejtësia, Policia, institucionet. Ngushëllime familjeve të viktimave. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen”, shkruan Bakiu.
Luljeta Preza, 32-vjeçe, u gjet e pajetë një ditë më parë në urën e Dajlanit. Preza dyshohet se është abuzuar seksualisht dhe më pas është vrarë me thikë.