Connect with us

Politike

U zgjodh kryetar i PD, Basha mbledh sot Kryesinë e partisë

Menjëherë sapo është njohur me rezultatin pa surpriza të zgjedhjeve të djeshme për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë. Mbledhja do të zhvillohet në orën 20.00 të ditës së sotme, ku pritet të diskutohet për hapat që do të ndiqen në vijim, në kushtet kur partia është më e përçarë se asnjëherë që prej krijimit të saj. Po ashtu, temë diskutimi besohet se do të jetë edhe aksioni opozitar duke nisur nga muaji shtator.

Mes përplasjeve brenda Partisë Demokratike, grupi i Lulzim Bashës mbajti një ditë më parë zgjedhjet duke e rikthyer atë për herë të katërt në krye të partisë. Nga pak më shumë se 25 mijë demokratë në listat e ‘krasitura’ nga berishistët iu përgjigjën apelit për votim 18.052 persona, nga të cilët 16.196 vota votuan Lulzim Bashën pra rreth 90% dhe 10% zgjodhën Gjergji Hanin, i cili mori 1657 vota. Ndërkohë, nga 52 deputetë demokratë, vetëm 8 prej tyre zgjodhën të votojnë, konkretisht Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Merita Bakiu, Flutura Açka, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj, Selaudin Jakupllari.

Hera e katërt kryetar
Ky është mandati i katërt i Bashës si kryetar, pas zgjedhjeve në 2013, 2017 dhe 2021. Në zgjedhjet e 2021 Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së përballë disa kandidatëve, Edit Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, sapo Partia Demokratike kishte humbur zgjedhjet në pranverën e atij viti. Basha në vitin 2021 mori 32.882 vota, nga 75 mijë anëtarë që u thirrën në votime atë kohë.

Përçarja
Grupi i Gazment Bardhit mblodhi online Këshillin Kombëtar të enjten e 27 korrikut dhe anuloi zgjedhjet e 29 korrikut, por përkundër kësaj, krahu i Bashës vijon procesin duke i cilësuar veprimet e Bardhit anti-statutore. Çështja ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës, me kërkesë të Bardhit për të hequr emrin e Bashës nga regjistri i partive politike. Nga ana tjetër, Kryesia e partisë i hoqi vulën Bardhit dhe ia kaloi sekretarit Ligjor, Indrit Sefës.

Advertisement