Bota
‘Udhëtime sekrete të iranianëve në Moskë’/ Gazeta britanike: Rusia po ndihmon Iranin me programin bërthamor

Gazeta britanike ‘Financial Times’ zbulon se Rusia po i ofron ndihmë Iranit në zhvillimin e kërkimeve për armë bërthamore, përmes udhëtimeve të fshehta të ekspertëve iranianë në Moskë.
Financial Times e ka marrë indicien nga një udhëtim më 4 gusht të vitit të kaluar, i bërë nga shkencëtari bërthamor Ali Kalvand 43 vjeç.
Sipas raportit, ai ishte shoqëruar nga katër persona të tjerë, të cilët pretendonin se punonin për kompaninë konsulente DamavandTec me një zyrë të vogël në Teheran.
Por hetimi i Financial Times zbuloi se ky ishte një kamuflim, pasi të pestë iranianët udhëtuan drejt Rusisë me pasaporta diplomatike, disa prej të cilave kishin numra serialë të njëjtë dhe ishin lëshuar në të njëjtën ditë, pak javë para udhëtimit.
Në mesin e tyre ishte një shkencëtar bërthamor, që sipas zyrtarëve perëndimorë, punon për SPND-në, një organizatë e fshehtë kërkimore ushtarake e Iranit, e cila nga qeveria amerikane konsiderohet si “pasardhësi direkt i programit bërthamor të Iranit para vitit 2004”.
Një tjetër anëtar ishte ish-drejtues i një kompanie të sanksionuar nga SHBA për lidhje me SPND-në, ndërsa një tjetër ishte zyrtar i inteligjencës iraniane, sipas burimeve të Financial Times.
Delegacioni iranian vizitoi institucione shkencore ruse që prodhojnë teknologji me përdorim të dyfishtë. Kalvand thuhet se i ka dërguar edhe një letër një furnizuesi rus, ku shfaq interes për blerjen e izotopeve të ndryshme, përfshirë tritiumin, material që përdoret për përmirësimin e performancës së kokave bërthamore dhe i nënshtrohet kontrollit të rreptë sipas rregullave ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Ky udhëtim u zhvillua në një periudhë kur qeveritë perëndimore kishin vënë re aktivitete të dyshimta të shkencëtarëve iranianë, duke përfshirë përpjekje për të siguruar teknologji bërthamore nga jashtë.
Shërbimet perëndimore të inteligjencës besojnë se Irani kishte një program sekret për armë bërthamore, të ndarë nga programi i tij për prodhimin e karburantit bërthamor, i cili u ndërpre në vitin 2003 nga lideri suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Në maj, SHBA vendosi sanksione të reja ndaj SPND-së, duke paralajmëruar se kjo organizatë është e angazhuar në “kërkime dhe zhvillim të teknologjive me përdorim të dyfishtë, që mund të përdoren në armë bërthamore dhe sistemet e tyre të transportit”.
Dokumentet nuk specifikojnë se çfarë teknologjie apo njohurish kërkonte delegacioni iranian nga kompanitë ruse, por ekspertët me të cilët komunikoi Financial Times e vlerësojnë si shumë të dyshimtë profilin e anëtarëve të delegacionit, llojin e kompanive ruse dhe mënyrën se si u organizua ky udhëtim.

