Aktualitet
Ujërat e zeza pushtojnë Liqenin Artificial të Tiranës, aroma e rëndë shqetësim për qytetarët
Ujërat e zeza që derdhen në Liqenit Artificial të Tiranës kanë sjellë ndryshimin në ngjyrë të ujit të liqenit nga ku dallohet qartësisht nga pamjet një shtresë e gjelbër, por nëse kalon aty pranë, nuhet dhe një aromë karakteristike algash. Qytetarët të cilët kalojnë pranë liqenit shprehin shqetësimin për aromën që ndihet në zonë. Ata shtojnë se duhen marrë masa dhe me të drejtë drejtojnë gishtin nga qeveritarët, për të cilët thonë se edhe nuk ngurojnë të mburren.
Faqja “Antipropaganda” ka postuar në rrjetet sociale disa pamje ku shihet sipërfaqja e liqenit në ngjyrë të gjelbër, dhe vende-vende me mbetje në ngjyrën e zezë që qëndrojnë pezull mbi ujë. Kështu, liqeni po kthehet në një vatër infeksionesh për t’i sherbyer lejeve pa kriter për ndërtim që po jep Bashkia e Tiranës.
Profesori në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe aktivist mjedisor, Aleko Miho, ka shpjeguar disa ditë më parë se kjo është një shtresë algash blu të gjelbra, një gjini cianobakteresh që gjenden shpesh në komunitetin e fitoplanktonit të ujërave të ëmbla.
Miho ka shtuar se pas analizës mikroskopike të një mostre uji të marrë nga Liqeni Artificial, u zbulua se bëhej fjalë për një lulëzim të cianobakterit “Microcystis aeruginosa”, ndër të tjera i njohur si një lloj helmues.
“Këto lulëzime janë pasojë dhe sinjale të ndotjes së madhe me lëndë ushqyese, që vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen,” shkruan Miho në Facebook.
Miho sqaron se kjo dukuri konsumon oksigjenin e tretur në ujë, duke krijuar kushte anaerobe dhe, për pasojë, shkakton ngordhjen masive të kafshëve dhe bimëve ujore që ndodhen në ujërat e kontaminuara. Ai i bëri thirrje Bashkisë së Tiranës që me urgjencë të largojë shkarkimet dhe grumbullimin e ujërave të zeza nga liqeni.
“Mbetet një sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për të gjithë pellgun e Tiranës, si një domosdoshmëri për cilësinë e jetës së njeriut dhe të gjithë botës së gjallë,” thotë Miho.