Kosova
Ukraina njeh Kosovën/ Ideja e profesorit amerikan dhe letra ‘e rrallë’ e Kurtit për Zelenskyn

Me propozimin evropian që nuk jep kurrfarë garancie për thyrjen e status quo-së së rrezikshme me Serbinë, një ide duket se ndjell pak shpresë, ajo e përdorimit të autoritetit moral të Ukrainës.
Propozimi evropian është debatuar gjerësisht në Kosovë pasi u bë publik nga Bashkimi Evropian. Kosova e humbi qëllimin kryesor të saj në dialog, njohjen nga Serbia. Një gjë të tillë, edhe zv. kryeministri Besnik Bislimi e quajti “koncesion të madh”. E përtej këtij koncesioni të madh, në propozim nuk ka as garanci se Kosova do të marrë njohjet e pritura gjatë nga shtetet mos-njohëse në BE.
Profesori amerikan Edward P. Joseph duke e komentuar këtë propozim ngulfatës për Kosovën, që do ta linte atë edhe pa fituar njohjen (Asociacionin), dha këtë ide para parlamentit britanik: të kërkohej njohja e Kosovës nga Ukraina.
Është evidente se Ukraina ka fituar autoritet të madh moral për shkak të rezistencës ndaj agresionit rus. Megjithatë, në lidhje me çështjen e Kosovës, edhe Zelenskiy edhe Putin vazhdojnë të mbajnë pozicion të njëjtë: nuk e njohin.
Profesori Joseph argumenton që me arritjen e njohjes nga Ukraina, shtetet mos-njohëse do të përballeshin me një pyetje fare të thjeshtë në realitetin e ri të krijuar: a jeni me Zelenskiyn apo me Putinin për Kosovën?
Disa ditë më pas, më 23 shkurt, Kurti do t’i dërgonte letër presidentit ukrainas për një përvjetor të çuditshëm, atë të nisjes së luftës.

