Politike
Ulja e çimit të energjisë/ Balluku porosi OSHEE: Sahatët të maten brenda 30 ditëve
Prej datës 1 shkurt, çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë do të ulet me 10.5%. kjo vlen vetëm për ata abonentë që nuk kalojnë 700 KËh në muaj. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe administratori i OSSH, Blendian Dalipi zhvilluan një takim me punonjësit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë i la porosi punonjësve të OSHEE që faturat të maten brenda 30 ditëve, në mënyrë që abonentët të mos humbin uljen me 10.5% të çmimit për mos kalimin e konsumit mbi 700 KWH në muaj.
“Tashmë duke filluar nga data 1 Shkurt OSHEE do të aplikojë një çmim të ri 10.5% më të ulët për të gjithë abonentët familjarë, të cilët janë më shumë se 1 milion ose e thënë ndryshe rreth 95% janë abonentë familjarë. Duke qenë se i kemi vendosur një faturim me kategori konsumi dhe jo fashe do të kërkohet nga ana juaj përpikmëri sa i përket matjes. Do të jetë një matje 30 ditore, nuk duhet të ketë vonesa, pasi nëse ju do të masnit më gjatë se 30 ditë, abonenti mund të kalojë konsumin prej 700 KËh dhe të humbë kështu uljen prej 10.5% të çmimit. Për këtë arsye do të merren një sërë masash që kanë filluar dhe jo vetëm shtimi i rradhëve tuaja, i cili është i domosdoshëm, deri në zgjidhjen përfundimtare të matësve inteligjentë, por edhe masa të tjera administrative dhe teknike”, tha Balluku.
Më 8 janar ERE mori vendimin që abonentët familjarë që harxhojnë deri në 700 kilovat/orë energji në muaj, prej 1 Shkurtit do të paguajnë 8.5 Lekë për kilovat/orë, që do të thotë 1 Lekë më pak sesa aktualisht. Ndërsa abonentë që kalojnë mbi 700 kilovat/orë në muaj, do ta paguajnë 9.5 Lekë kilovat/orën për të gjithë sasinë e energjisë së konsumuar. çmimi do të jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, ndërsa tarifa u propozua nga Operatori i Shpërndarjes i Energjisë Elektrike.