Bota
Ultimatumet dhe përplasjet/ Trump shpalos planet pas telefonatës me kryeministrin kanadez

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin kanadez, Mark Carney, të cilën e quajti një ‘telefonatë jashtëzakonisht produktive”.
“Sapo mbarova telefonatën me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney. Ishte një telefonatë jashtëzakonisht produktive, ne biem dakord për shumë gjëra dhe do të takohemi menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme të Kanadasë për të punuar mbi elementët e politikës, biznesit dhe të gjithë faktorëve të tjerë, që do të përfundojnë të jenë të shkëlqyera si për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe për Kanadanë,” shkroi Trump në Truth Social.
“Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje!“, shtoi më tej republikani.
Carney dhe Trump folën mëngjesin e sotëm në telefon, hera e parë që të dy udhëheqësit kanë folur që kur Carney u bë kryeministër më 14 mars.
Thirrja erdhi pasi Trump tha në fillim të kësaj jave se SHBA do të vendosë një tarifë 25 për qind për automjetet e prodhuara jashtë SHBA-së, duke filluar nga 2 prilli, një lëvizje që mund t’i japë një goditje të rëndë ekonomisë së Kanadasë.
Trump nuk ishte aspak i butë ndaj paraardhësit të Carney, ish-kryeministrit Justin Trudeau. Presidenti i SHBA-së shpesh e quajti atë si “guvernator Justin Trudeau” dhe e akuzoi për përdorimin e diskutimeve tregtare me SHBA-në për të qëndruar në pushtet.

