Connect with us

Aktualitet

‘Propozim shumë i guximshëm’/ Kikia: Unë jam kundër “lirimit para kohe” të të dënuarve me burgim përjetë!

Nga Mentor Kikia

Unë jam kundër “lirimit para kohe” të të dënuarve me burgim përjetë!
Shqipëria do të bëjë disa ndryshime në Kodin Penal. Drejtuesi i grupit të punës, ish Prokurori i Përgjithshëm, aktualisht drejtues i Shkollës së Magjistraturës, Z.Arben Rakipi, gjatë prezantimit, theksoi edhe një risi, “të guximshme”, siç ai e tha vetë; lirimi para kohe me kusht i të dënuarve me burgim të përjetshëm.
“… ne mund ta aplikojmë lirimin para kohe me kusht, për dënimin me burgim të përjetshëm. Duhet të më besoni, është një propozim shumë i guximshëm. Këtu pleksen shumë gjëra, viktima, procesi i riedukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi, që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë, njerëzit përmirësohen nga kushtet në të cilat vendosen dhe nëse puna me ta është e efektshme”- kështu citohet Z.Rakipi.
Duke qenë se Kodi do ti nënshtrohet një diskutimi publik, dhe është i mirëpritur mendimi i gjithkujt, unë po e jap një mendim:
1-Lirimi para kohe, ka kuptim për atë që është dënuar për një “farë kohe”, pra që ka një limit, dhe për sjellje të mirë, ai nuk e kryen dënimin të plotë, por lirohet. Burgimi i përjetshëm nuk ka kohë, që ta lirojmë para kohe.
2-Burgimi i përjetshëm aplikohet për vepra penale absolutisht të rënda, krime që kanë marrë jetë njerëzish me vetëdije, në kushte specifike, me një apo më shumë viktima. Sado që ai të pendohet apo “të lexojë libra në burg”, lirimi “i parakohshëm”, nuk justifikohet, as moralisht as penalisht.
3-Me këtë shkallë korrupsioni që ne kemi në administratën e burgjeve dhe hallka të tjera të drejtësisë, “certifikatën për sjellje të mirë”, e merr çdo lloj krimineli e banditi, siç edhe e kanë marrë më herët, për ti shpëtuar dënimeve kapitale.
4-Në një shoqëri, ku hakmarrja e gjakmarrja vazhdojnë të jenë ende normë gjyqësie, nxjerrja e një vrasësi të “rehablituar”, do ti hapë rrugë hakmarrjes. Ka ndodhur në shumë e shumë raste.
Nuk kam pikën e dyshimit se kjo nismë ka ardhur si pasojë e vullnetit për të ndërtuar një Kod Penal më human dhe jo shumë ndëshkues. Por, vetëm për sa rendita më sipër, unë mendoj se ky ndryshim është jo i dëmshëm, por i rrezikshëm. Ai mund tu hapë derën e burgjeve njerëzve që janë të gatshëm të vrasin përsëri, e për kapjen dhe dënimin e të cilëve shteti, policia, prokuroria e gjykata, janë investuar për vite me radhë.
P.S: Meqë Kodi ka nevojë për një diskutim publik, kush është dakord me mua, ta shpërndajë këtë postim dhe te shtoje argumenta.
Advertisement