Kosova
‘Unë them luftë, mos u befasoni kur të plasë’, Dushan Janjiç flet drejt
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, duke komentuar mbi mungesën e progresit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, konsideroi se “nuk duhet befasuar” nëse situata aktuale mes palëve “shndërrohet në konflikt të armatosur”.
“Dialogu ka vdekur” dhe “nuk dihet se si do të përfundojë kjo situatë me nder” – theksoi Janjiç, teksa dhe shprehu shpresën se pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në muajin qershor dhe emërimit të ndërmjetësuesve të rinj evropianë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të ketë përpjekje të reja për ‘ringjalljen’ e procesit të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Momentalisht, për fat, kemi ndërgjegjësim tek amerikanët dhe te NATO-ja, që kjo situatë duhet të shtensionohet. Për këtë i kanë duart tërësisht të lira dhe mendoj se këtë po e bëjnë me sukses” – deklaroi ndër të tjera Janjiç.
Në këtë sfond, shumë vlerësojnë se dritarja për normalizim do të mbyllet shpejt, duke hapur mundësitë për dhunë, posaçërisht sepse zgjedhjet për Parlamentin Europian në qershor dhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nëntor të vitit 2024, do ta ngushtojnë perspektivën e arritjes së një marreveshjeje paqeje përmes kompromisit të negociuar.
Sipas tij, ngjarjet e 24 shtatorit në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit janë “kolateral i politikave të gabuara”. “Nëse ai nuk e dinte se cfare ishte planifikuar, është edhe më keq. Kjo do të thotë se ai nuk është në nivelin të jetë president i vendit dhe të kontrollojë procesin. Dhe nëse ai e dinte për ngjarjen dhe nuk e pengoi, atëherë ai ka përgjegjësi dhe, nëse ai e dinte apo dhe ka marrë pjesë pjesërisht në të, gjë që është e vërtetë, atëherë sigurisht që ai tani po udhëheq një politikë që ka dy opsione, ose të bashkëpunojë ose jo dhe të ketë fatin e Sllobodan Milloshevicit” – theksoi Janjiç.