Connect with us

Shkrime

Ura dhe sindroma e Isa Mustafës

Nga Enver Bytyçi

Isa Mustafa në vitet 2015, 2016 dhe 2017, kur është biseduar dhe nënshkruar marrëveshja për hapjen e Urës së Ibrit ka qenë kryeministër dhe si i tillë, ka qene negociatori kryesor me Serbinë i këtij procesi.

Aso kohe u bë gati gjithçka, deri te riparimi dhe testimi i urës. U caktuar edhe data e hapjes së saj. Por Ura e Ibrit është ende sot mbetet e mbyllur. A ka përgjegjësi Isa Mustafa pse tani qeveria dhe kryeministri i Kosovës do të duhet të zgjidhin një problem të lënë pa zgjedhje nga ish-kryeministri i Kosovës? Çdo mendje e hapur dhe me logjikë do të pohojë se po, Mustafa e ka përgjegjësinë kryesore, pse Ura e Ibrit nuk u hap në datën e caktuar me marrëveshje të ndërkombëtarëve, të nënshkruar nga Serbia dhe ai vetë.

Por fatkeqësisht ish-kryeministri Isa Mustafa tani ka filluar me kritika të ashpra ndaj Albin Kurtit, pikërisht për debatin dhe diskursin që zhvillohet sot për hapjen e urës. Madje ai kërkon që çështja e urës duhet lënë mënjanë, pasi sipas tij, ‘Kosova ka problem shumë e shumë më të mëdha për te zgjidhur”. Që do të thotë se hapja e Urës së Ibrit për akademikun Mustafa nuk është me rëndësi, nuk duhet të jetë prioritet.

Në këtë kuptim Mustafa përpiqet të gjejë një alibi për të mos u marrë me hapjen e Urës së Ibrit. Por ajo që më shqetëson ka të bëjë me faktin se pse ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së, sot president nderi i saj, i kërkon qeverisë Kurti të mos merret me Urën e Ibrit?! Ka disa arsye logjike që mund t’i shohim. Mund të jetë fakti se ai kërkon që pozitat politike dhe elektorale të Kurtit të dobësohen. Por ka mundësi që Grennell të ketë futur metastazat deri te Isa Mustafa…

Si hipokrit dhe konformist i kualifikuar, Mustafa kritikën e tij për përpjekjet e Albin Kurtit për hapjen e urës i lidh me reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai josh amerikanët që të angazhohen në rrëzimin e Kurtit dhe ringritjen e miqve të tij në pushtet.

Dhe si për të dashur ta ekuilibrojë këtë qëndrim të lartpërmendur, ai shkruan gjithashtu se bisedimet për urën në Bruksel janë të pakuptimta. Pra, ndërsa u kundërvihet kërkesave të Brukselit, shpreh shqetësim të madh pse Kurti nuk “koordinohet”, më saktë nuk pranon diktatin e Uashingtonit. Unë e di dhe Mustafa e di më mire se unë, se nuk është çështja e urës së Ibrit, por është problem i Trepçës dhe pasurive në veri të Kosovës. Pazari është bërë: – 30 përqind Serbia, 40 përqind SHBA-të dhe 30 përqind tri vende të BE-së. Por ky pazar nuk është i leverdishëm për evropianet. Përveç Francës, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk janë të kënaqur me akte të tilla. Për 40 përqindshin e SHBA-ve zihen Grennell dhe Sorosi. Sepse Vuçiç ua ka premtuar të dyve, natyrisht bazuar në kontributin që ata japin për t’ia dhënë Serbisë këto pasuri.

Puna ka ardhur të zgjedhësh midis dy të këqijave: – Të prishesh për çështjen e veriut me Amerikanët, apo t’ia japësh veriun Serbisë! Cilën do të zgjidhte Isa Mustafa? Marrëveshjet që ai dhe Thaçi kanë nënshkruar me Serbinë dëshmojnë se këta të dy kanë zgjedhur servilizmin ndaj amerikanëve dhe copëtimin e territoreve të Kosovës! Fatkeqësi, që Isa Mustafën e shoqëron edhe sot e kesaj dite e njëjta “sindromë”!

Advertisement