Bota
Uranium për prodhim bombe?/ Gjeorgjia ndalon shitjen e 3 miliardë dollarëve të metalit

Autoritetet gjeorgjiane kanë ndaluar një përpjekje për të shitur uranium me vlerë 3 milionë dollarë, i cili mund të ishte përdorur për ndërtimin e një bombe vdekjeprurëse, njoftoi Shërbimi i Sigurisë Kombëtare të enjten.Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, një shtetas gjeorgjian dhe një shtetas turk janë arrestuar dhe akuzuar për blerje, posedim dhe tregtim të paligjshëm të substancave radioaktive. Ata u ndaluan në qytetin bregdetar të Batumit, në brigjet e Detit të Zi, dhe përballen me deri në 10 vjet burg.
“Shtetasi i Gjeorgjisë e kishte blerë dhe ruajtur në mënyrë të paligjshme substancën radioaktive uranium dhe kishte tentuar ta shiste këtë material bërthamor shtetasit turk për 3 milionë dollarë,” thuhet në deklaratën e Prokurorisë, pa u bërë publik identiteti i të dyshuarve.
Shërbimi i Sigurisë Kombëtare deklaroi se ka parandaluar një “krim transnacional” që mund të kishte pasoja shkatërrimtare. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi nivelin e pasurimit të uraniumit, i cili është vendimtar për përcaktimin nëse mund të përdoret në armë bërthamore.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, nuk ka komentuar ende lidhur me incidentin.
Pamjet e publikuara nga autoritetet gjeorgjiane tregojnë forcat e rendit duke inspektuar një automjet me një skaner rrezatimi dhe duke sekuestruar dy shishe të vogla, njëra prej të cilave dukej se përmbante një substancë pluhur të bardhë.
Ende nuk është bërë i ditur as origjina e uraniumit dhe as destinacioni i mundshëm i tij.
Një nga izotopet e uraniumit, uranium-235, është fisil dhe mund të përdoret për reaksione zinxhir bërthamore në reaktorë apo armë. Ndërkohë, uranium-238 dhe uranium-234 nuk janë fisil.
Siguria e materialeve bërthamore ka qenë një shqetësim i madh që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ku Gjeorgjia ishte pjesë. Vendit i janë regjistruar disa raste serioze tregtie të paligjshme të materialeve bërthamore në dekadat e fundit.
Në vitin 2019, autoritetet ndaluan dy persona për përpjekje për shitjen e uraniumit-238 me vlerë 2.8 milionë dollarë. Ndërsa në vitin 2016, dymbëdhjetë persona – përfshirë shtetas gjeorgjianë dhe armenë – u arrestuan në dy operacione të ndara brenda të njëjtit muaj, pasi u akuzuan për përpjekje për të shitur uranium-238 dhe uranium-235 me një vlerë totale prej rreth 203 milionë dollarësh.

