Politike
Ursula mbërrin në Tiranë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë. Von der Leyen është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri Edi Rama në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Në orën 15.45 do të zhvillohet një takim bilateral mes dy delegacioneve, takim që do të pasohet më pas nga një konferencë e përbashkët mes Von der Leyen dhe kreut të qeverisë Edi Rama. Von der Leyen do të takojë edhe Presidentin Bajram Begaj. Kjo vizitë e Von der Leyen vjen në kuadër të turit të vizitave që po zhvillon në Ballkanin Perëndimor. Një ditë më parë, presidentja e KE-së ishte në Maqedoninë e Veriut dhe pas vizitës në Tiranë, të premten Von der Leyen do të jetë në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi. Vizita e saj në Ballkan përmbyllet ditën e shtunë në Mal të Zi. Kujtojmë se vizita e fundit në Tiranë e Presidentes së KE-së ka qenë në shtator të vitit të kaluar. Aso kohe Ursula Von der Leyen erdhi me lajme shpresëdhënëse për Shqipërinë, e cila ende nuk kishte çelur negociatat me BE. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen e vlerësoi Shqipërinë për reformat, duke deklaruar se tani është koha që Bashkimi Europain të mbajë fjalën e të veprojë, pasi këtë gjë ia ka borxh rinisë shqiptare.