Shkrime
Vafa…lëvizja që kërkon Fatos Lubonja!
Nga Ylli Pata
Fatos Lubonja, nuk e ka shprehur tani simpatinë apo një ndjeshmëri të tijën pro Lëvizjes 5 Yje të Beppe Grillos në Itali. Thuajse në të gjithë komentet e tij, si kur i bën nga Italia, ku jeton një pjesë të kohës si këtu nga Tirana, nuk resht së referuari një stili apo modeli të tillë për ta zbatuar në Shqipëri.
Movimento 5 Stelle, hyri në jetën politike italiane si një lëvizje antiestablishment, e përfundoi sot, si një parti politike që veten e quan të majtë, por që në Europë nuk bën aleancë me partitë socialdemokrate por me populistët antueuropeistë.
Gjithsesi, zoti Lubonja, ka shumë gjasë që nuk flet për një 5 Yje siç është sot, por për shpirtin e atij aksioni politik popullor e kontestues siç ishte në fillim.
E në fillim Lëvizja 5 Yje, ka nisur si një ide en block antiestablishment. Që luftonte në radhë të parë ndaj konglomerateve ekonomike e financiare, por posaçërisht elitës së vjetër politike.
Në fakt, kjo lëvizje solli një shtytje të rëndësishme në politikën italiane si pasojë e atij aksioni. Pasi klasa e vjetër politike thuajse është zhdukur totalisht. Në krye të qeverisë është një politikane e re si Giorgia Meloni, në krye të opozitës, është Eli Shchlein, gjithashtu një aktiviste e politikane e re. Në të gjitha bashkitë e mëdha të Italisë, drejtojnë politikanë të rinj, qoftë në në vite, ku mosha mesatare shkon te 35-40 vjeç qoftë në përvojën politike.
E një Vafa day shqiptare, siç e kërkon Lubonja nuk ka logjikë të ketë si referim dy politikanët që janë mishërimi i elitës së vjetër dhe të kalçifikuar të politikës dhe konglomeratit të abuzimit me pushtetin siç janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Një Vafa day shqiptare nuk mund të ketë logjikën e tre bandave siç thotë Lubonja. Ajo ose do të kërkojë rinovimin e klasës politike, ose një përmbysje gjeneratash, pasi përndryshe nuk është një risi.
Megjithëse, siç e ka treguar tashmë historia, këto lloj lëvizjesh e nisin si antiestablishment dhe përfundojnë në klasë partitokratike kur vijnë në pushtet. Kështu ndodhi me Lëvizjen 5 yje në Itali, ku nga risia që fitoi shumicën e bashkive të mëdha nga jugu në veri, sot 5 stelle është partia e tretë politike në Itali, e cila gjatë eksperiencës së saj në pushtet qeverisi me parti si Lega Nord që i konsideronte reaksionare, qeverisi me xhagajdurë korrupsioni siç e quante PD-në dhe partinë e Matteo Renzit, madje mbështeti edhe qeverinë e bankierit Mario Draghit, të cilin Beppe Grillo e cilësonte një vampir që pi gjakun e europianëve, kur drejtonte Bankën Qendrore Europiane.
Megjithatë, ka edhe një gjë tjetër në këtë lëvizje, ku është diskutuar dhe diskutohet përditë. 5 yjet patën si trurin e saj inxhinierin e informatikës, Gianroberto Casaleggio, djalin e një përkthyesi të rusishtes, i cili menaxhoi website-n e Beppe Grillos, i cili për pak vite arriti të bëhej portali më i shikuar në Europë. Për këtë forcë politike është folur shpesh se ka marrëdhënie të mira me Moskën dhe Pekinin, e që në fakt u pa shpesh gjatë takimeve përkatëse.
Në kohën kur Italia u godit egër nga pandemia e Covid 19, ishte i vetmi vend që pranoi një skuadër ekspertësh ushtarakë rusë, për të cilët shumë zëra mediatikë e politikë, thonë se ata ishin njerëz të shërbimeve sekrete. Italia është aleati më i rëndësishëm i SHBA në Europë, e në territorin e saj ka bazat më të rëndësishme të NATO-s, duke përfshirë edhe raketat strategjike interkontinentale me mbushje bërthamore.
Pikërisht orientimi gjeopolitik i lëvizjes çoi në çarjen e saj në dy pjesë, ku ish-kryetari i saj Luigi di Maio, ish-zv.kryeministër dh eish-ministër i jashtëm u largua, pasi nuk pranoi devijimin nga rruga euroatlantike. Për 5 Yjet është thënë shpesh se ka qenë një aksion i shtyrë në një pjesë të madhe nga qarqet e Kremlinit dhe Pekinit. E pikërisht gjatë kohës së kryeministrit Giusepe Conte, aktualisht kryetar i Cinque Stelle, Italinë e vizitoi Xi Jin Ping, që e shpalli vendin fqinj si partnerin më të rëndësishëm të Kinës në Europë.
Gjithsesi, diskutimet mund të jenë disa dimensionale në logjikën e eksportimit në Shqipëri të Movimento 5 Stelle, por ajo do të kishte kuptim, nëse atë do ta drejtonte Fatos Lubonja, i cili keq mirë ka qenë përgjithësisht kundër klasave politike në vend, por jo Berisha e Meta. Nëse do të kishte një Vafa Day shqiptare, ajo do të drejtohej kundër atyre politikanëve që janë më antipopullorë, e kjo shikohet qartë nga sondazhet….