Bota
Vala e nxehtësisë në Detin Mesdhe ngjall frikë edhe për jetën detare

Uji më i ngrohtë në bregdet mund të duket i këndshëm për zhytjen tuaj gjatë pushimeve, por nxehtësia e fundit e oqeanit në Detin Mesdhe ka qenë aq intensive, sa shkencëtarët kanë frikë nga pasojat potencialisht shkatërruese për jetën detare.
Temperatura e sipërfaqes së detit kalonte rregullisht 30 gradë Celsius pranë brigjeve të Mallorca-s dhe gjetkë në fund të qershorit dhe fillim të korrikut, në vende gjashtë ose shtatë gradë mbi zakonisht.
Kjo është ndoshta më e ngrohtë se pishina e qendrës suaj lokale të argëtimit.
Ka qenë vala më ekstreme e nxehtësisë detare e Mesdheut perëndimor e regjistruar ndonjëherë për këtë kohë të vitit, duke prekur zona të mëdha të detit për javë të tëra.
Nxehtësia duket se po ulet, por disa specie thjesht luftojnë për t’u përballur me një ngrohtësi kaq të zgjatur dhe intensive, me efekte të mundshme anësore për rezervat e peshkut.
Për t’ju dhënë një ide për këto temperatura, shumica e pishinave të qendrave të argëtimit ngrohen në afërsisht 28 gradë Celsius. Pishinat konkurruese janë pak më të ftohta në 25-28 gradë Celsius, thotë World Aquatics.
Pishinat e fëmijëve janë pak më të ngrohta, të rekomanduara në 29-31C ose 30-32C për foshnjat, sipas Shoqatës së Mësuesve të Notit.
Temperatura të tilla të buta mund të duken tërheqëse, por ato mund të paraqesin kërcënime të fshehura. Bakteret dhe algat e dëmshme shpesh mund të përhapen më lehtë në ujin e detit më të ngrohtë, i cili nuk trajtohet me kimikate pastrimi si pishina juaj lokale.
Temperaturat e detit prej 30C ose më lart nuk janë të papara në Mesdhe në fund të verës.
Por ato janë shumë të pazakonta për qershorin, sipas të dhënave nga shërbimi evropian i klimës Copernicus, Mercator Ocean International, dhe matjeve në portet spanjolle.
“Ajo që është e ndryshme këtë vit është se temperaturat e detit prej 30C kanë mbërritur shumë më herët, dhe kjo do të thotë se mund të presim që vera të jetë më intensive dhe më e gjatë”, tha Marta Marcos, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Ishujve Balearik në Spanjë.
“Unë u rrita këtu, kështu që jemi mësuar me valët e nxehtësisë, por kjo është bërë gjithnjë e më e zakonshme dhe intensive”.
“Jemi të gjithë shumë, shumë të befasuar nga madhësia e kësaj vale të nxehti”, shtoi Aida Alvera-Azcárate, një oqeanografe në Universitetin e Liege në Belgjikë.
“Është një çështje shqetësuese, por kjo është diçka që mund të presim të ndodhë përsëri në të ardhmen”.

