Bota
Vala e të nxehtit ekstreme “mbërthen” Europën/ Tre të vdekur në Spanjë nga zjarret shkatërruese

Zjarret masive që kanë përfshirë Spanjën kanë marrë tre jetë brenda javës, ndërsa temperaturat ekstreme vazhdojnë të godasin pjesë të mëdha të Europës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, paralajmëroi se rreziku mbetet “ekstrem”, ndërsa qeveritë e kërkojnë ndihmë nga vendet fqinje.
Viktima e fundit është një zjarrfikës vullnetar në rajonin Castile dhe León, i cili humbi jetën pas një beteje të gjatë me flakët. Një tjetër vullnetar në të njëjtin rajon vdiq të martën, ndërsa një burrë në periferi të Madridit humbi jetën të hënën teksa përpiqej të shpëtonte kuajt nga një stallë në flakë.
“Vdekja na godet sërish me humbjen e një tjetër vullnetari në León,” deklaroi kryeministri Sánchez, duke falënderuar “heronjtë” që po mbrojnë popullsinë nga zjarret.
Ndërkohë, në Patras të Greqisë, zjarrfikësit arritën të frenojnë përhapjen e një zjarri të fuqishëm që detyroi evakuimin e një spitali pediatrik dhe një azili për të moshuar. Mediat greke raportuan se një 19-vjeçar është arrestuar pasi pranoi se kishte ndezur zjarrin që çoi në këtë situatë alarmante.
Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës në Greqi, Vasilios Vathrakoyannis, tha se situata është përmirësuar, por rreziku për shpërthime të reja zjarresh mbetet shumë i lartë në shumicën e vendit.
Përballë përmasave të rënda të zjarreve, Spanja është bërë vendi i pestë këtë javë që aktivizon mekanizmin e mbrojtjes civile të Bashkimit Europian. Komisioni Europian njoftoi se dy avionë zjarrfikës nga Franca janë dislokuar në Spanjë. Greqia gjithashtu do të marrë dy helikopterë suedezë nga Bullgaria në kuadër të të njëjtit mekanizëm.
Bashkimi Europian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile plot 16 herë gjatë këtij sezoni zjarresh – një shifër që tashmë ka arritur nivelin e vitit të kaluar të tërë.
Më shumë se 400,000 hektarë pyje janë djegur në Europë vetëm këtë vit, një rritje prej 87% krahasuar me mesataren e dy dekadave të fundit. Franca regjistroi javën e kaluar zjarrin më të madh që prej vitit 1949.
Dy zjarrfikësit spanjollë humbën jetën ndërsa po përdornin mjete për të hapur rrugë dhe ngadalësuar përhapjen e zjarrit, por u zunë në befasi nga flakët për shkak të erërave të forta dhe të ndryshueshme. Njëri vdiq në vendngjarje, ndërsa tjetri, që pësoi djegie në 85% të trupit, ndërroi jetë në spital një ditë më vonë.
Sipas mediave lokale, gjashtë persona të tjerë ndodhen ende në spital me djegie dhe plagë të rënda.

