Politike
Vangjeli për shembjet në Theth: Më e lehtë të marrësh leje për kulla dhe resorte në bregdet, se leje në fshat…

Lorenc Vangjeli komentoi ashpër situatën e shembjeve në zonën turistike të Thethit, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të thellë të problemeve strukturore të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Ai foli për mungesën e vizionit, përfshirjen e institucioneve në korrupsion dhe mungesën e një strategjie zhvillimi për zonat rurale. Vangjeli u shpreh kundër mënyrës spontane dhe agresive të veprimit nga autoritetet, duke paralajmëruar për pasojat e një shteti që udhëhiqet nga rastësia dhe jo nga parimi.
“Po shof ngjarjet në Theth si një radiografi e gjithë shoqërisë shqiptare. Në veçanti një nga provat më ulëritëse të braktisjes së fshatit dhe kthimit të syve në këtë zonë që përfaqëson 2 të 3 e vendit dhe gati 40% të popullsisë. Një herë në 2 vjet në rast të zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme. Është më lehtë të marrësh një leje ndërtimi në Tiranë, një pallat, një kompleks, një kullë. Është më lehtë të marrësh lejen për të ndërtuar një resort në bregdet, sesa në fshat. A janë ndërtime pa leje? PO. A mbijnë brenda natës? JO. A kanë paguar ryshfete dhe a është kjo dëshmi e dështimit të të gjitha strukturave të shtetit? PO. Kryeministri tha që nëse keni marrë gjoba, ua falim. Është një muzikë e cila luhet nga kjo orkestër 1 herë në 2 vjet. Çdokush është i bindur në Shqipëri, që çdo kundravajtje administrative që e bën merr një gjobë, pret ca kohë dhe vijnë zgjedhjet dhe ajo shuhet. E gjithë struktura shtetërore e cila do të duhej ta ndalonte një gjë të tillë është e përfshirë në veprimtarinë korruptive. Ajo që është më e rëndësishme dhe që unë jam totalisht kundër, ka të bëjë me frymën e aksionit. Ato ndërtime nuk bien brenda ditës. Kjo mënyrë spontane e trajtimit të problemeve në të gjitha fushat e jetës më kujton sindromën e studentit. Më shumë sesa Thethin, unë shikoj me shumë dëshpërim që Shqipëria duket sikur shkon në një rrjedhë që e çon rasti dhe rrjedha dhe që nuk ka një strategji të qartë zhvillimi.” – tha Vangjeli.

