Connect with us

Politike

Vangjeli: Rama e mbron hapur Ballukun, SPAK i kapur politikisht, çdo hetim ndalet te kryeministri

Lorenc Vangjeli u shpreh se rasti i Belinda Ballukut tregon më qartë se kurrë mënyrën sesi funksionon pushteti i Edi Ramës dhe raporti i tij me drejtësinë e kapur politike. Sipas Vangjelit, ndryshe nga rasti i Erion Veliajt, ndaj të cilit Rama u përpoq të krijonte distancë përpara hetimeve, në rastin e Ballukut kemi të bëjmë me një mbrojtje të hapur dhe konfirmim politik nga vetë kryeministri, që e ka rikonfirmuar në detyrë.

Analisti theksoi se Balluku ka qenë realisht personi që ka administruar përditshmërinë e qeverisjes, duke ushtruar një pushtet të deleguar dhe thuajse absolut nga Rama. Në përfundim, Vangjeli theksoi se rasti Balluku tregon se në qeverinë “Rama”, pushteti është i përqendruar në duart e pak njerëzve, por përgjegjësia për mënyrën sesi funksionon drejtësia dhe SPAK mbetet tërësisht politike dhe se çdo hetim real që shkon në këtë drejtim përfundon sërish te një emër i vetëm: Edi Rama.

Pjesë nga deklarata:

Rasti i Belinda Ballukut na jep disa shpjegime të cilat ne i kemi ngritur si parafabrikate dhe, duke i ndjekur ato më pas me cilësinë e aksiomës, ndoshta gabojmë ne të tërë. Me shumë gjasë, i fundit person që Rama do të donte të kishte një takim me drejtësinë është Balluku, ose dikush tjetër në mazhorancë.

Në rastin e Veliajt përmendëm një sërë rastesh, një distancim të Ramës ndaj tij. Rama, për një vit rresht, dukej se ishte distancuar nga ai, e kishte lënë mënjanë dhe sikur e kishte bërë gati për të shkuar “në zbor”. Nuk shkon e njëjta logjikë me zonjën Balluku; ai e konfirmoi dhe rikonfirmoi në detyrë me pak se një muaj më parë, pra i tha: “Ti je në krahun tim.”

Madje ka edhe më shumë se kaq. Sepse, në një mënyrë ose tjetër, shqiptarët pranojnë ose kontestojnë zgjedhjet, por shqiptarët zgjodhën Ramën. Megjithatë, është një “sekret i madh publik” që e dinë të gjithë: qeverisjen e bënte Belinda Balluku, ajo merrej me përditshmërinë. Siç mund të thuhet me korrektësi që ky është mandati i katërt i Ramës, po aq mirë mund të thuhet se është mandati i dytë i Ballukut në rolin e administratores së qeverisë dhe ky është fakt.

Pushteti i Belindës ka qenë pushtet politik dhe shumë i madh, gati absolut, i deleguar nga Rama dhe pushtet i fituar në mënyrat e saj. Të gjithë ishin të nënshtruar ndaj saj. Nëse ne besojmë verbërisht në aksiomën që Rama kontrollon SPAK-un, atëherë ai do t’ia kursente vetes këtë kokëçarje, sepse nuk i intereson që zëvendësja e tij e dytë të përballet me drejtësinë. As në rastin e Veliajt nuk i interesonte. Rama ka ndikim thelbësor në SPAK.

Advertisement