Connect with us

Aktualitet

Vazhdon rënia e popullsisë, rreth 46.5 mijë persona ikën në emigracion

Popullsia e Shqipërisë ka shënuar rënien më të lartë në tre vjet, që nga periudha e pandemisë, duke u tkurrur me 1.1%, ose 318 mijë persona më pak. Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar rënie me 1,1%, krahasuar me 1 janar 2022.

Rënia ka ardhur si rrjedhojë e ikjes së një pjese të popullsisë në emigracion, ndërsa u kthyen më pak persona. Nga ana tjetër, popullsia nuk po shtohet në mënyrë natyrore, pasi numri i vdekjeve është pothuajse i njëjtë me atë të lindjeve. Gjatë vitit 2022, shtesa natyrore e popullsisë (lindje-vdekje) regjistroi 690 lindje më shumë se sa vdekje, që është niveli më i ulët historik, me përjashtim të periudhës së pandemisë.

Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021. Nuk ka vetëm të ikur, pasi rezulton të jenë rritur dhe personat që kthehen në vend. Numri i imigrantëve në vitin 2022 ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT, migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022.

Shqipëria plaket më tej, gjysma e popullsisë mbi 38.8 vjeç

Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë.

Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022, që nënkupton që gjysma e popullsisë së vend është nën 38.8 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë.

Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0 % në 23,8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1% në 24,4% gjatë të njëjtës periudhë. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej më 1 janar 2023 ka pësuar rënie, në krahasim me 1 janar 2022: nga 98,6 në 98,0 meshkuj për 100 femra.

Raporti gjinor në lindje pësoi rënie të lehtë, duke shënuar vlerën 107,4 në vitin 2022, nga 107,6 që ishte në vitin 2021. Gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar një rënie prej 9,3%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në 2022 ishte 23.998 persona, duke pësuar një rënie prej 21,3%, krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2022 numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5% më shumë, krahasuar me vitin 2021.

Numri i imigrantëve ishte 13.963 persona: 51,9% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Tirana, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej. Më 1 janar 2023 Tirana zë rreth 33,5% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me nga 10,5% dhe 9,8% përkatësisht. Sa i përket qarqeve të tjerë, pesë prej tyre zënë respektivisht nga 1,9% deri 4,1% të popullsisë gjithsej.

Më 1 janar 2023 popullsia u rrit vetëm në një qark të vendit

Përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2023 tregojnë se vetëm një qark i vendit shënojë rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë, ndërsa njëmbëdhjetë qarqet e tjerë shënuan rënie të popullsisë. Rritja u shënua në Tiranë (+ 0,6%). Në të kundërt, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Gjirokastër (- 3,6%), Berat (- 3,1%) dhe Dibër (- 2,9%).

Qarku me raportin e varësisë së të rinjve më të lartë është Kukësi (33,7%), ndërsa qarku me raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë është Gjirokastra me (28,0%), ndjekur nga qarku i Lezhës me (27,8%)./Monito

Advertisement