Aktualitet
Vdekja e 25-vjeçares, gazetarja jep detajet: U gjet pa ndjenja nga shoqja e saj, dhunohej sistematikisht
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë, ku 25-vjeçarja Xhuana Nikolli nga Lezha ndërroi jetë në Qendrës Spitalore Nënë Tereza për shkak të vetëhelmimit me fotoksinë.
Një ditë pas ngjarjes familjarët e saj kanë bërë kallëzim në komisariatin numër 2 në Tiranë ndaj bashkëshortit të saj, duke pretenduar se ai ushtronte dhunë ndaj të resë.
Në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune. Ndërkohë Policia e Tiranës ka shpallur bashkëshortin e saj në kërkim.
Sipas informacioneve çifti ishte martuar në qershor të vitit 2025, por ishin ndarë tre muaj më parë për shkak të konflikteve që kishin mes tyre.
Gazetarja Glidona Daci e ftuar në emisionin “Rudina” tha se vajza ishte gjetur në gjendje të rëndë nga shoqja e saj, e cila më pas kishte lajmëruar urgjencën. Sipas gazetares, shoqja e 25-vjeçares kishte dëshmuar para uniformave blu se Xhuana Nikolli dhunohet në mënyrë sistematike nga partneri i saj.
Më tej gazetarja shton, se ka mësuar se e ndjera ka lënë dhe një letër, e cila ndodhet në duart e hetuesve, të cilët do të bëjnë dhe këqyrjen e aparatit celular të vajzës, për të mësuar më shumë lidhur me këtë ngjarje tragjike.
“Unë mësova nga komunikimet që pata edhe me komisariatin numër 2, që vajza ka lënë edhe një letër. Pra ka shkruar dhe një letër, e cila ndodhet në duart e hetuesve, këta të fundit do të bëjmë edhe këqyrjen e aparatit celular nëpërmjet komunikimeve nëse ka pasur edhe raste të tjera të përsëritura të ushtrimit të dhunës.
Nëse ka pasur raste të tjera që vajza ka shprehur më herët shqetësimin nëse do të bënte diçka me veten, që do i shkaktonte vetëvrasjen dhe kujt ia ka shprehur këtë shqetësim. Shoqja e saj ka treguar që ajo është dhunuar në mënyrë sistematike”, tha gazetarja Daci.