Connect with us

Shkrime

Vdekja e Eglit dhe dy fëmijët jetimë vlejnë më shumë se sedra juaj e prekur, z. Rrumbullaku

Nga Ilir Yzeiri

Para dy ditësh botova një koment për ngjarjen e rëndë të Pogradecit dhe, meqenë se deri atëherë informacionet ishin të mangëta, përmenda se kjo ngjarje tregon dobësinë dhe brishtësinë e policisë së shtetit. Reagimi i Drejtorit të Përgjithshëm, z. Rrumbullaku ishte i menjëhershëm pas informacioneve në shtyp se policia e fshehu ngjarjen.

Ai premtoi se do të analizonte këtë rast për të parë se kush e deformoi ecurinë e kësaj ngjarjeje, sepse, siç të gjithë e dimë, në fillim u tha nga  burime të policisë së Pogradecit se vdiq ngaqë u rrëzua se ishte i pirë. Sot, me një ton pak të tendosur dhe me sedër të « lënduar », z. Rrumbullaku, nuk na tha se kush e kishte deformuar atë ngjarje dhe kush kishte tentuar ta fshihte atë krim të tmerrshëm, por deklaroi se policia e Pogradecit ka vepruar në mënyrë të shkëlqyer, gati sa nuk tha që u duhet dhënë edhe një fletë lavdërimi dhe se « gojët e liga » kanë dashur ta deformojnë dhe të përdhosin punën e policisë së shtetit.

Si të mos mjaftonte kjo, pas pesë ditësh, drejtori i Urgjencës së QSUT-së, « Nënë Tereza », z. Brataj, ashtu si ata mjekët e « 21 janarit » që thanë se protestuesit ishin qëlluar nga afër me çadra pistoletë, deklaroi se ambulanca ka shkuar në vendngjarje për 7 minuta. Po përse e tha sot pas pesë ditësh këtë gjë zoti Brataj?

Ndërkaq, dëshmia e motrës së të ndjerit, është një akuzë e rëndë dhe ajo thotë se i vëllai u la në tokë për 30 minuta. Zoti Rrumbullaku tha sot se policia e ka referuar këtë ngjarje si “vrasje me dashje », ndërsa prokuroria si « vrasje nga pakujdesia » dhe pas kësaj ai, me një ton pak të ngritur, deklaroi se nuk merret me prokurorinë. Gjithë kjo histori më kujtoi vdekjen makabre të  vogëlushes 7-vjeçare në plazhin e Potamit e cila u masakrua nga një polic që i jepte skafit me një shpejtësi jashtë normave.

Jemi përsëri në gusht. Edhe atëherë vdekja në fillim u tha se ndodhi nga pakujdesia, pastaj ajo u bë një ngjarje me hapësirë të gjerë publike dhe polici mori dënimin e merituar. Tani vijmë te Egli. Nëse lexon çfarë ka mbajtur shënim oficeri i policisë gjyqësore, që është publikuar sot në media, do të tronditesh me ftohtësinë e kriminelit që thotë se pasi e shtyu pak të ndjerin se ai e kishte fyer, ia futi gjumit dhe pastaj fjeti në makinë nja dy orë se ishte i pirë e më pas mori avokatin e shkoi në polici se u kujtua që mund ta kishte vrarë.

I dashur, z. Rrumbullaku ! Unë jam një prej atyre që e çmoj punën tuaj dhe të policisë së shtetit. Ashtu siç e thosha edhe në shkrimin tim të mëparshëm, qeveria e PS-së dhe personalisht kryeministri Rama janë investuar me mish e me shpirt për një polici tjetër, moderne dhe në shërbim të qytetarëve, që të kthehet më në fund në engjëllin tonë mbrojtës. Dhe rezultatet në disa aspekte janë spektakolare. Ne jemi një vend i sigurtë për të huajt. Lufta juaj për çmontimin e bandave që kanë gjakosur këtë vend, është përshëndetur nga të gjithë ata që sot ju i paraqitët si lajmëtarë që përdhosin punën e policisë. Media ju ka qëndruar gjithnjë pranë dhe ka paraqitur të gjitha punët e mira që ju keni bërë.

Mirëpo, ajo që ndodhi në Pogradec nxjerr në reliev një realitet të frikshëm. Heshtja dhe frika për të denoncuar dhe ajo ngatërresë e raportimit që nisi nga strukturat tuaja dhe humbi pastaj në ajër, duhen marrë në vështrim. Ne sot duam të dimë dhe do të donim të botohej aktekspertimi i ngjarjes dhe të dhënat e autopsisë. Si u vra Egli? Përse u vra? Si ka mundësi që të vritet babai i dy fëmijëve në mes të ditës dhe prokuroria të deklarojë se ishte vdekje nga pakujdesia? Nëse ajo prokurore e qytetit të Korçës ka hedhur në kosh referimin tuaj dhe në mënyrë kriminale ka injoruar ligjin, atëherë ne jemi përballë një realiteti tjetër edhe më të rëndë. Nëse u besojmë fjalëve tuaja, krimineli që vrau Eglin nuk është gjobvënës, megjithëse dikush këto ditë deklaroi se ai bën pjesë në bandën që vënë gjoba në Pogradec.

Në anën tjetër, Prokuroria e Korçës jo vetëm që nuk e përfill Policinë e Korçës, por edhe e injoron atë. Nëse është kështu, na thuaj z. Rrumbullaku nga duhet të ruhemi nesër? Ju nuk na thatë se përse ishte vrasje me dashje. Pra përse donte ta vriste? Për gjobën, për qejf apo si? Ndaj nervozizmi juaj dhe sedra e prekur, ndoshta mund të përdoreshin për të na treguar gjithë dinamikën e kësaj vrasjeje me dashje, duke na treguar në radhë të parë motivin. PËRSE ? Këtë pyetje ka bërë edhe babai i Eglit këto ditë.

Dhe diçka tjetër. Fakti që opinion është i shqetësuar për këtë ngjarje makabre dhe e denoncon atë qoftë edhe me nervozizëm dhe me paragjykime ndonjëherë, është një shenjë që në këtë vend opinion m]e i gjer]e dhe nj]e pjes]e  e mir]e e medias e ka vrarë frikën. Kjo mund të jetë një shenjë që duhet t’u japë kurajo edhe ju, z. Rrumbullaku që në punën tuaj dhe në luftën kundër krimit dhe në denoncimin e rasteve si ai i prokurorisë së Korçës nuk jeni vetëm.

Advertisement