Bota
Vdekja e mistershme e ministrit rus/ Reagon Kremlini: Jemi të tronditur, po zhvillohet një hetim

Kremlini ka deklaruar se është “i tronditur” nga vdekja e papritur e ish- ministrit rus të Transportit, Roman Starovoit, lajmi për të cilin doli vetëm disa orë pasi ai u shkarkua nga Presidenti Vladimir Putin .
Starovoit u gjet i vdekur në makinën e tij jashtë Moskës me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit dhe dyshimi fillestar është se ai kreu vetëvrasje, thanë dje hetuesit shtetërorë.
I pyetur për vdekjen e Starovoit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Presidenti Putin ishte informuar për incidentin dhe e përshkroi atë si “tragjik dhe të trishtueshëm. Peskov nuk pranoi të spekulonte mbi shkakun e vdekjes së ish-ministrit, duke përmendur hetimin që është në vazhdim.
“Nuk ka si të mos i shokojë njerëzit normalë. Kuptohet, na tronditi edhe ne. Një hetim është duke u zhvilluar. Dhe është ky hetim që do t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Peskov.
Dekreti presidencial që shkarkon Starovoit i publikuar dje – nuk dha asnjë arsye për shkarkimin e ministrit pas vetëm një viti në detyrë , megjithëse analistët politikë nxituan të ngrinin mundësinë që ai të jetë shkarkuar në lidhje me një hetim për korrupsion në rajonin që ai dikur drejtonte. Përpara se të emërohej ministër i transportit në maj 2024, Starovoit ishte guvernator i rajonit Kursk për gati pesë vjet.

