Shkrime
Vdekja e ngadaltë e qytetit
Nga Flora Xhemani Baba – Shpeshherë përballemi në përditshmëri me faktin e trishtë të braktisjes së fshatrave. Por e vërteta është që jo vetëm fshatrat po vdesin dalngadalë para syve tanë. Edhe qytetet e vogla po pësojnë të njëjtin fat. Në lagjen time të vjetër pothuajse nuk ka mbetur më askush. Vetëm në rrugicën tonë, që ne shpesh e quanim edhe “gryka jonë” kishte më shumë se njëzet familje me nga katër, pesë e më shumë anëtarë, çka bënte që rrugica të gumëzhinte nga mëngjesi herët, e deri në darkë vonë, nga zërat e fëmijëve të moshave të ndryshme, sipas orareve të shkollës e në buzëmbrëmje dimër-verë nga e gjithë lagjjja. Kalamajtë duke luajtur, gratë e gocat me grepat e shtizat në dorë duke bërë muhabet e burrat duke lozur lart ke Sopi Xhemerit. Zakonisht gëzimi i daljeve pasdite “ke ura”, përveç muhabetit për shtatë palë qejfe ishin edhe “petllat e Meleqes”, që ajo i bënte me maja birre, me formën si top, mbi një tepsi të madhe plot me vaj, mbi një zjarr të ndezur në mes të oborrit.
Nga vitet ‘90 e deri tani, në lagje kanë mbetur vetëm dy-tri plaka dhe dy-tri familje por asnjë fëmijë. Nga Kaditë ka mbetur vetëm Saidi, Dy Kollçakët nuk janë më asnjëri, madje nuk janë më as ata që blenë shtëpinë e Kollçakëve. Zaja ka ikur jashtë me të gjithë familjen dhe shtëpia tashmë është e rrënuar. Te familjet “Arapi” ka mbetur vetëm non Xhija me Bukurijen. Nga fisi i madh i Kazive ku ishin gati dhjetë familje, ka mbetur vetëm Lala me Gjenin. Dizdart’ kanë kohë që janë shpërngulur e nuk e di nëse shtëpinë së fundi e ka blerë dikush apo jo. Nga ne Xhemont’ vetëm xhaxhi Gimi dhe Sadiku. Po të dalim pak jashtë rrugicës, Mancakt kanë kohë që kanë ikur në Gjermani e Amerikë. Edhe ke Sedjat, Rrema së fundi e kishte shitur shpinë. Nga Rricat ka mbetur vetëm Sula me Mirsijen që shkojnë e vijnë në Itali, ndërkohë që Çim Rrica është shpërngulur nga lagjja në qendër (të paktën lajm i mirë që nuk ka emigruar). Fatmirësisht janë ende aty dy çunat e Xhe Merit, vëllerzërit Babamusta. Ke Ajdint’ me ikjen e Sherbetit nga kjo jetë Ylja iku në Gjermani. Kollçakët e tjerë kanë ikur prej vitesh, shtëpia është e shkretë. Te Gegët, familja me shumë vëllezër, ka mbetur vetëm Çilja. Edhe Xhihont’ fisi që popullon gjysmën e lagjes së poshtme, janë pakësuar ndjeshëm duke u spostuar përfundimisht nga lagjja. Pak më poshtë familja e Murat Kollçakut është e gjitha e ikur dhe me vdekjen e dy pleqve, dykatëshja e madhe është kthyer në rrënojë. Te Kasat ka mbetur vetëm Goni kurse në fisin tjetë të madh të Gosenve, shumica kanë ikur prej vitesh.