Rajon
Vdes ‘e ashtuquajtura’/ Kandiç: Njohja de-fakto, gur themel për Kosovë-Serbi
Drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, e cila përcjell në mënyrë aktive zhvillimet politike dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se njohja de-fakto e Kosovës nga Serbia është gur themeli për raporte të mira mes dy shteteve.
Kandiç ka shkruar se është e rëndësishme që të hiqet nga diskursi publik dhe politik përdorimi i gjuhës së urrejtjes, teksa dhe ka përmendur referencën e Serbisë për Republikën e Kosovës “si e ashtuquajtura”.
“Është e rëndësishme që në Serbi, diskursi publik dhe politik të largohet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes – i ashtuquajturi shteti i Kosovës, i ashtuquajturi kryeministër , të ashtuquajturit shqiptarë…” – ka shkruar Kandiç.
Më herët, ajo ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kandiç i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe u dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
“Nëse takimi në Bruksel nis me deklaratën se Serbia do të ndërtojë një memorial në territorin e kampit të Njësisë Antiterroriste Serbe në Batajnicë në kujtim të 800 personave, të vrarë në Kosovë, pastaj të transferuar në kampin e policisë, ku përmes makinerisë dhe zjarrit u rrafshuan me tokë, vërtetë paskësaj do të fillonte ‘normalizimi’ i raporteve” – tha Kandiç, përmes një postimi në Twitter. – Në fillim të vitit 2000, në Batajnicë, u zbulua një varrezë masive me trupat e qindra shqiptarëve të Kosovës që ishin vrarë diku nga forcat serbe, dhe më pas ishin bartur në atë hapësirë, në një tentativë të strukturave shtetërore të Serbisë, të asaj kohe, për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera.