Një grua shqiptare nga Komuna e Preshevës, ka vdekur gjatë lindjes në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.
Ngjarja ka ndodhur më 17 prill, ndërsa foshnja ka mbijetuar dhe është në gjendje të mirë, raporton Luginalajmi.
Por sipas medias lokale, vdekja e 37-vjeçares shqiptare M.A. nuk është raportuar në polici apo në prokurori nga mjekët kujdestar, por Prokuroria e Lartë Publike në Vranjë, ka nisur hetimet në bazë të shkrimeve në rrjetet sociale, e cila ditën e shtunë ka urdhëruar policinë që të kontrollojë Qendrën Shëndetësore të Vranjës.
“Pas hetimeve, policia ka konfirmuar në Prokurori se autopsia e gruas në lindje është kërkuar që të zhvillohet në Institutin për Mjekësi Ligjore në Nish” – thuhet në deklaratën e kryeprokurores publike, Danijela Trajkoviq.
Megjithatë, sipas mediave nga Vranja tanimë po përcaktohen rrethanat në të cilat ka vdekur lehonia shqiptare, ndërsa kontrolli i brendshëm, autopsia klinike dhe mjeko-ligjore ka përfunduar në Qendrën Shëndetësore në Vranjë.
Siç ka paralajmëruar drejtori, Sasha Gjorgjeviq, të hënën pritet ardhja e inspektorit shëndetësor në ketë institucion shëndetësor.