Politike
Veliaj i ‘brektisur’/ Socialistët mblidhen për shkarkimin, kryebashkiaku gati për përballje në Kushtetuese
Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë mbledhur këtë pasdite për të diskutuar mbi procedurën që do të ndjekin për shkarkimin e kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj.
Mbledhja e tyre ka nisur në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste.
Ky hap i këshilltarëve socialistë vjen pas deklaratës së një jave më parë të kryeministrit Rama në Asamblenë e PS-së, i cili teksa kërkoi edhe nisjen e procedurës dhe gjetjen e bazës ligjore për largimin e Veliajt, bëri të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidate e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.
Nga ana tjetër, avokatët e kryebashkiakut në detyrë, pritet që të vijojnë betejën e tyre ligjore edhe në Kushtetuese pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës të marrë vendim për shkarkimin e tij.
Teksa si mbledhja e këshilltarëve socialistë, ashtu edhe hapat ligjorë të avokatëve të Veliajt, i përkasin orëve dhe ditëve të ardhshme, ajo që është vënë re prej të enjtes së kaluar, është fakti se kryebashkiaku ka ndërprerë çdo aktivitet në rrjetet socialiste.
Postimi i fundit në Instagram dhe Facebook është shtatë ditë më parë, ku ai shpërndau një deklaratë të avokatëve të tij, ndërkohë që në TikTok, ku postonte edhe video me mesazhe që linin vend për interpretim, postimi i fundit është në 27 gusht.