Politike
Veliaj kërkon lirim me kusht/ Ekipit të mbrojtjes i shtohet një avokat amerikan, Roberts: Jam këtu në rolin e vëzhguesit

Kryebashkiaku Erion Veliaj u takua sot me ekipin avokatëve një ditë para seancës së apelit për shqyrtimin e kërkesës së tij me lirim me kusht. Ekipit të tij, iu bashkua edhe avokati amerikan Joshua Roberts, i cili u shpreh se ndodhet këtu në rolin e vëzhguesit. Ai tha se ndodhet këtu për të vëzhguar argumentet në lidhje me kërkesën për lirim me kusht të Kryebashkiakut. Avokati shtoi se sipas Kushtetutës dhe ligjit amerikan, arrestimi i Veliajt është në kundërshtim me ligjin.
“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt. Jam në Shqipëri në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat penale ngrihen vetëm nëse ka një shkak të arsyeshëm, kur ka ndodhur një krim. Personat që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik arratisje dhe rrezik për shoqërinë. Ndikimet e pacaktuara dhe afatet e paqarta, si dhe mungesa e akuzave penale, dhe kriteret për rreziqe, veçanërisht për politikanët, janë në kundërshtim me ligjin dhe demokracinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër, unë do të vëzhgoj argumentet e apelimit në lidhje me lirimin me kusht të Kryetarit Veliaj. Nuk do të përgjigjem për asnjë pyetje ose të bëj komente të tjera për sot. Faleminderit”, tha ai.
Nesër Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë kërkesën e depozituar nga Veliaj përmes avokatëve të tij, për lirimin me kusht. Në këtë seancë do të jetë i pranishëm edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane Kasoëitz Benson Torres LLP, e cila po këshillon Kryetarin Veliaj. Studioja Kasoëitz ka përfaqësuar presidentin amerikan Donald Trump për më shumë se 15 vjet çështjet ligjore në bizneset e tij, apo edhe gjatë fushatës presidenciale.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në “detyrim paraqitje” janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi.

