Politike
“Veliaj po zhduk dokumentet”/ Bashkia Tiranë reagon pas denoncimit të Berishës: Fake-news

Lëvizja e disa dosjeve nga Bashkia e Tiranës ka sjellë reagimin e ashpër të opozitës. Avokatja dhe anëtarja e Kryesisë së PD-së, Adriana Kalaja i ka dalë para një kamioni me logon “mirëmbajtja e objekteve publike”. Në videot që ka shpërndarë në rrjetet e saj sociale, Kalaja pretendon qindra dosje me dokumente që i përkasin bashkisë.
Lidhur me lëvizjet, një reagim ka ardhur edhe nga kryedemokrati Sali Berisha. Duke shpërndarë pamjet në rrjetet e tij sociale, Berisha pretendon se dokumentet po “zhduken” me urdhër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Berisha: Nga burgu, Lal Vjedhësi urdhëron zhdukjen e dokumentave! Pasi kanë vjedhur, duan të zhdukin gjurmët! sb
Por pas pretendimeve të demokratëve, një sqarim ka ardhur nga Bashkia e Tiranës. Në një reagim zyrtar, pretendojnë se në fakt, dokumentet që po zhvendosen janë pjesë të arkivit. Ato po zhvendosen, sipas procedurës, nga godina kryesore, tek godina e arkivës së Bashkisë. Duke theksuar se pretendimet e Berishës janë të pavërteta.
“Bashkia e Tiranës po kryen një proces routinë për zhvendosjen e arkivës nga godina kryesore drejt godinës së arkivës së Bashkisë. Lajmi i publikuar si nga Sali Berisha, ashtu edhe nga mediat e tjera, është i pavërtetë,”- thuhet në reagim.

