Politike
Veliaj tjetër mesazh nga burgu: Kur të flas unë ti do jesh lajm i fundit!

Kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në burg, por komunikimin e tij e vijon me anë të rrjeteve sociale. Këtë herë sërish me një video në rrjetin e tij social të “preferuar”, TikTok ka dhënë një mesazh të koduar. Teksa shkruan se momentalisht është i heshtur, kryebashkiaku paralajmëron se në momentin që do të flasi do të ketë breaking news (lajm i fundit).
“Je kaq i qetë. Modaliteti i heshtur është aktiv sepse nuk më pëlqen më. Kur te flas une ti do jesh lajm i fundit”, shkruan në Tiktok Veliaj, krahas pamjeve të tij nga evente të ndryshme
Nuk dihet se për kë është ky mesazh apo me cilën çështje ka të bëjë informacioni, i cili Veliaj pretendon se do të mbulojë faqet e mediave, deri në momentin që do të flasë. Kjo nuk është hera e parë që kryebashkiaku përcjell mesazhe nëpërmjet Tik Tok, ku shpesh herë me anë të trendeve zgjedh të flasë për gjendjen e tij në qeli, apo t’u përgjigjet hetimeve.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është zyrtarisht i pandehur, ku akuzohet për 9 raste korrupsioni pasiv, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale.
SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash ‘OJF’. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar.

