Politike
Vendimi i Qeverisë për ndërtesat mbi 50-vjeçare, Berisha: Rama do të prishë mbi 96 mijë banesa në Tiranë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ditën e sotme kryeministrin Edi Rama se me vendimin e fundit të Qeverisë për rivlerësimin e ndërtesave mbi 50-vjeçare, po synon që të prishë mbi 96 mijë banesa në kryeqytet. Në një takim me demokratët e degëve 6, 13 dhe 16 të kryeqytetit, Berisha tha se qeveria ka për synim ta vendosë Tiranën në dispozicion të klaneve të drogës dhe oligarkëve.
‘Është mirënjohje për ju, për pritjen kaq të ngrohtë, për punën e shkëlqyer. Për vazhdimin e këtij misioni, këtij revolucioni që është etik për fatet tona, për fatet e shqiptarëve dhe Shqipërinë. Sot ne jemi përpara një regjimi, i cili ka humbur çdo legjitimitet të ekzistojë më tutje. Jemi para një regjimi, për të cilin nuk ka më interesa qytetare por vetëm për pasurimin e tij dhe të klaneve. Vetëm dje, Rama dhe qeveria e tij, miratoi një vendim me të cilin ka qëllim të prishë 96 mijë banesa në Tiranë.
Ka qëllim të vendosë qytetin, troje dhe banesa në dispozicion të klaneve të drogës, të oligarkëve të tij. Pasi shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit, tërësisht të pasurimjit të klikës së tij, tani nuk i durohet më. Nuk pret më. Tani autorizoi veten për të prishur çdo pallat dhe banesë të cilën ai e konsideron fitimprurëse, ndërtimin në ato troje. Fitimprurëse për veten dhe suitën e tij. Edi Rama dhe kjo qeveri, duhet të largohen sa më parë. Ata kontrollojnë sot të gjitha pushtetet. Ka shndërruar drejtësinë në një degë të PS-së.’- u shpreh Berisha.
Sipas një vendimi të Qeverisë, të gjithë objektet, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do të duhet t’i nënshtrohen auditimit teknik. Kjo do konsistojë në kryerjen e ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës të objekteve. Në rast se vlerësohet se objekti nuk përmbush kushtet teknike, i hapet rruga riparimit ose prishjes”.
Sipas projektvendimit të qeverisë subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve. Ndërkohë që, auditimi teknik do i vihet në dispozicion Institutit të Ndërtimit për kryerjen e oponencës.