Shkrime
Veriu i kontaminuar nga urrejtja, faji i Vetëvendosjes
“Qeveria e Aleksandër Vuçiqit vazhdon të ketë ndikim te serbët në Kosovë. Subjekti politik serb është shkatërruar sistematikisht gjatë 12 viteve të fundit – ekzekutimi është kryer më 16 janar 2018 dhe është certifikuar më 24 shtator në Banjska. Serbët në Kosovë goditen dyfish nga Prishtina dhe Beogradi. Për disa janë të padëshirueshëm, për të tjerë dëshmitarë të pakëndshëm. Disa i bëjnë të pakuptimtë, të tjerët i diskriminojnë” – kështu thotë Tatjana Lazarevic, kryeredaktore e portalit Kossev në veri të Kosovës.
“Marrëdhëniet ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar janë acaruar gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit. Që të dy veprojnë nga pozita e vetëviktimizimit dhe duke akuzuar palën tjetër për keqbërje. Dialogu mungon dhe hapësira publike është e kontaminuar nga urrejtja, nxitja e dhunës dhe propaganda nga të dyja palët. Komuniteti serb është gjithashtu i dominuar nga frika. Vetëvendosja ka rritur pritshmëritë e elektoratit të saj kur është fjala për qëndrimin ndaj Serbisë, veriut të Kosovës, si dhe një lloj revizionizmi historik. Kjo situatë përkon pikërisht me ndryshimin e pushtetit në Prishtinë. Njëzet e pesë vjet pas konfliktit, pajtimi i popullit serb dhe shqiptar nuk ndodhi, por jeta u normalizua me kalimin e viteve në nivelin e komunikimit konstruktiv, dialogut dhe bashkëpunimit – qoftë në nivel individual apo lokal-komunal; apo edhe, në mënyrë episodike, mes vetë palëve negociuese. Një praktikë e tillë u ndërpre me ardhjen në pushtet të Vetëvendosjes” – theksoi Lazareviç
“Popullariteti i Aleksandër Vuçiçit në Kosovë është në nivelin më të ulët që prej ardhjes së tij në pushtet më shumë se 10 vjet më parë. Sot rrallë mund të takosh një serb në Kosovë, mbi të gjitha në Veri, i cili i beson te ai pa kushte, siç deri para një viti. Këtë realitet nuk mund ta kapërcejnë mediat rreth tij” – deklaroi kryeredaktorja e Kossev.
Duke folur për tensionet e shtuara mes Kosovës dhe Serbisë, ajo u shpreh se incidenti i fundit i madh është ngjarja në Banjskë, e cila nga bashkësia ndërkombëtare dhe Prishtina është cilësuar si akt terrorist dhe disa besojnë se është edhe pjesë e planit për ndarjen e veriut të Kosovës me ndërhyrjen e Serbisë.
“Në rastin e Banjskës, ka fakte të dukshme dhe pyetje të hapura. Përveç humbjes së katër jetëve, stresit të pësuar, pasojat për palën serbe do të jenë të rënda dhe afatgjata. Për qeverinë e Kosovës, e cila menjëherë para rastit Banjska, u gjend në shënjestër të kritikave të intensifikuara nga Perëndimi – sulmi, vrasja e një polici të Kosovës në pritë dhe evidentimi i provave materiale si armët dhe pajisjet ushtarake, materiali video dhe fotografik, dokumentacioni etj, shërbeu për të justifikuar plotësisht vendosjen dhe praninë e forcave speciale të forta të Policisë së Kosovës në veri. Banjska, pra, përmbysi rolet e “djaloshit të mirë” dhe “djaloshit të keq”. Ky rast ngre një sërë pyetjesh të hapura dhe hap një sërë palogjikshmërish: Cili ishte qëllimi i vërtetë i hyrjes së këtij grupi? Çfarë ndodhi që nga momenti i vrasjes së rreshterit të policisë e deri te likuidimet e para të anëtarëve të këtij grupi të armatosur? Cili ishte roli i KFOR-it, EULEX-it dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë? Si është e mundur që armët dhe pajisjet ushtarake, me vlerë pesë milionë euro, të kalojnë pa u pikasur nga NATO-n, por edhe nga ushtria serbe?” – theksoi Tatjana Lazarevic, kryeredaktore e portalit Kossev.
Duke kujtuar se në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosja e Kurtit fitoi 50.28 për qind të votive, e pyetur se cila është mbështetja aktuale për qeverinë e Kurtit dhe sa mund të ndikohet nga lëvizjet e tij politike, Lazareviç u shpreh që ka përshypje se po krijohet një “hyjni” e re politike.
“E kemi parë se ku të çon idhujtaria, sidomos në Ballkan. Albin Kurti me “skifterët” e tij gjeneron gjithnjë e më shumë mbështetje të fortë. Bosht është politika e tij ndaj Serbisë dhe serbëve dhe “pushtimi” i Veriut dhe spastrimi nga Serbia, qoftë edhe nga ndikimi i serbëve si komunitet shumicë në atë territor.
Dhe kjo është ajo që duhet të trembë. Aq më tepër kur etnocentrizmi, nacionalizmi, i mbështjellë me petkun e enverizmit, paketohet si socialdemokraci, apo luftë kundër krimit të organizuar dhe vendosja e rendit. Ndoshta këta katër deri në shtatë për qind e serbëve të mbetur, të cilët zyrtarisht në Perëndim llogariten si përqindje që e bën Kosovën “shtet multietnik”, do të zhduken nesër. Megjithatë, shoqëria shumicë në Kosovë, nëse jo qeveria e saj, ende nuk është përballur me skeletet e veta nga dollapi, pra me vizionin e tyre për demokracinë dhe të vërtetën për demokracinë, sundimin e ligjit dhe liritë civile, çfarë bote ata aspirojnë. Ka zëra se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç me sjelljet e tyre të deritanishme po ndihmojnë njëri-tjetrin për të mbuluar krizat e brendshme. Unë nuk mendoj se tani ata të dy janë dakord dhe po negociojnë diçka. Por unë shoh se të dy liderët marrin përfitime, nga ajo që e quaj “tango e pistë”” – potencoi Lazareviç