Shkrime
Veriu i Kosovës i ngjan një zjarrvënie (ndërkombëtare) të qëllimshme
Nga Emin AZEMI
Ngjarjet aktuale që po ndodhin në veri të Kosovës, i ngjajnë jehonës së vonuar të një shpërthimi të planifikuar që ishte kryer në qershor të vitit 1999. Pasojat e këtij shpërthimi (skenari) po i shohim tani, dhe përpjekja për të shuar atë nuk është asgjë tjetër pos veprime të dëshpruara të zjarrfikësve (nga Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare) që me vonesë mbërrijnë në vendin e ngjarjes.
Të gjithë ata që po e kritikojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se pse po mundohet të shuaj apo lokalizojë këtë zjarr të qëllimshëm, ose po frikësohen nga dekodimi i një komploti që kishte ndodhur në qershor të vitit 1999, ose po duan të mos i marrin parasysh disa fakte që mjaftojnë të kuptojmë se çështja e veriut të Kosovës nuk është pasojë e ndonjë konflikti të pazgjidhur në mes të autoriteteve shtetërore të Kosovës dhe serbëve lokalë. Konflikti është më i thellë, kurse të drejtat e “pazgjidhura të serbëve” po shërbejnë vetëm si alibi për të mjegulluar një skenar tjetër që prej vitit 1999 është mbajtur nën tavolinë.
Pjesë nga ky skenar kanë nxjerrë krye herë pas herë: fillimisht në formë të shkëmbimit territorial, kurse tani në formë të një trysnie iracionale për ta flijuar veriun në këmbim të një stretegjie që ka si synim ka largimin e Serbisë nga orbita e gjeopolitikës ruse.
Por ky skenar mund të ketë në brendi edhe ndonjë adut krejt tjetër.
Pasuritë nëntokësore dhe ujore të veriut të Kosovës dhe betejat globale për primat të shteteve dhe korporatave familjare-financiare mbi këto pasuri, mund të jenë pengu kryesor që mban të mbërthyer procesin e (mos)normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi. Asociacioni, të drejta e serbëve, janë do pallavra për njerëz naiv, por jo edhe për ata që e dijnë fort mirë se qysh në qershor të vitit 1999 ura e Ibrit u shndërrua në një gurë kufiri të ri, të cilin po e ruanin me fanatizëm trupat e KFOR-it francez. Këta të fundit u bënë mburojë e një gjeopolitike të re që tinëz, prapa deriçkave, po i fuste interesat nacionale serbe në dëm të atyre shqiptare.
Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur shqiptarët po festonin fundin e një gjenocidi (spastrimi etnik) që ishte kryer mbi ta me dekada nga regjimi represiv i Beogradit, por nuk po e dinin se në veri të Ibrit po luhej në skenë një tragjedi tjetër ku shqiptarët sërish po e përjetonin një spastrim të ri etnik. Deri në vitin 1999 në veriun e Kosovës banonin mbi 25.000 shqiptarë dhe një përqindje e vogël e serbëve. Këta të fundit ishin vendosur aty kryesisht pas Marëveshjes së Paqës në Versajë më 1919 dhe në vitet e mëpastajme.
“Ura mbi lumin Ibër” është titulli i një analize (marrë nga blogu: xhafershatri.info.) të guverantorit të parë të Kosovës, Bernard Kushner, shkëputur nga libri i tij “Luftëtarët e paqes” (botuar në vitin 2004). Në këtë analizë Kushner më mirë se kushdo tjetër i shpjegon shkaqe dhe pasojat e asaj që ndodhi në veri të Kosovës prej qershorit të vitit 1999 e deri sot dhe rolin e KFOR-it francez në deformimin e realitetit në terren, ku për pasojë erdhi edhe ndarja e Mitrovicës në dy pjesë.
“Mitrovica qytet me njëqind mijë banorë, e ndarë më dysh nga lumi Ibër: në jug shqiptarët, në veri serbët. Urën mbi lumin Ibër, para miqve të mi, e krahasoja me kalesën në Muzeun e Bejrutit, me zonën limanore të qytetit të Monrovias, me lagjet e përfshira në trazira të San Salvadorit; ndarje vdekjeprurëse e një qyteti. Kjo urë e Mitrovicës qe bërë simbol i thyerjes së pangjitshme mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Kolonat franceze, të ngarkuara për këtë zonë gjatë futjes së aleatëve, më 12 qershor 1999, duke vendosur fushimin në jug të qytetit, nuk ndoqën policinë e Beogradit, por u ndalën në urë, duke futur rrallazi ndonjë njësit të vëzhgimit më në veri, ku zbuluan pjesëtarë të policisë dhe të vrasësve që bartin skalpet dhe flokë grashë shqiptare të varura në hallkat e rripit”, shkruan Kushner dhe pyet: Me urdhër të kujt ishin ndalur (te ura) forcat tona çlirimtare?
“Kurrë nuk kam mundur ta mësoj saktësisht, por ky ishte një gabim i madh politik.Ky ndalim i papritur, jo vetëm bëri nga Mitrovica një qytet të ndarë, por shkaktoi një ekzod masiv, një ndjekje reciproke e të përhershme të refugjatëve të nemitur e të privuar nga të gjitha, dhe u ofroi serbëve një territor strehimi të papritur, në kufi me Serbinë që ende drejtohej nga Millosheviqi. Shumë shpejt vullnetarët serbë organizuan në veri të Urës një polici të udhëhequr me mjeshtri nga Oliver Ivanoviq, i cili organizoi një njësi të armatosur të bridge watchers, rojat e urës, njerëz të armatosur të të gjitha tendencave… Ne u përpoqëm t’i zhvendosim disa herë, por kot… Ne dëshironim të lirojmë një urë më në lindje dhe ia arritëm, Klaus Reinhardt, gjenerali gjerman dhe unë t’i ndjekim ushtarakisht rojat e urës, duke iu ofruar në mes të betejës, gjatë një dialogu armiqësor me Oliver Ivanoviqin, mundësinë të vëzhgojnë nga një apartament më lartë në qytet qasjet në territorin e tyre.Por komandanti francez i zonës ishte kundër lëvizjeve tona që rrezikonin autonominë serbe në pjesën e epërme të qytetit të Mitrovicës. Më kujtohen diskutimet e vështira mes gjeneralit gjerman dhe oficerit të lartë francez, gjeneralit Pierre de Saqui de Sannes. Përballë kundërshtimit të francezve, të paktën atë ditë, ne nuk mundëm të shkojmë më larg… “, vë në dukje njëanshmërinë e trupave francize të KFOR-it, të cilët i merrni urdhërat, përpos nga komanda e NATOs, edhe nga autoritet ushtarake e politie në Paris.
Kushner me të drejtë në shkrimin e tij thekson se gjatë gjithë misionit të tij, qyteti i Mitrovicës mbeti një plagë e dhimbshme në trupin e Kosovës, një problem human i pazgjidhur dhe i pa dalje politike, një kokëçarje teknike, një kurth.
Absurditeti që përcolli ndarjen e Mitrovicës, nuk kërkon ndonjë shpjegim të detajuar për të kuptuar se qysh në qershor të 1999-tës ekzistonte një plan konkret se si duhet të duket një Kosovë defunksionale si shtet, që filloi me dëbimin e shqiptarëve nga veriu Mitrovicës dhe vendosjen në të të serbëve nga të gjitha viset e Kosovës. Bejrutizimi i Kosovës kishte ndodhur pa pëlqimin e shqiptarëve, kurse ajo që vazhdon të ngelë enigmë është se si ka mundësi të ndodhte ky gjenocid mbi shqiptarët në kohën kur
Kosova de jure mbrohej nga KFOR dhe administrohej nga UNMIK. Pasojë e këtij gjenocidi ishte shpërngulja me dhunë e mbi 25.000 shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës dhe rikolonizimi me serbë midis viteve 2000-2023.
Shndërrimi në refugjat brenda natës i shqiptarëve të Mitrovicës së veriut u bë me miratimin e heshtur të KFOR-it dhe UNMIK-ut, prandaj diplomacia ndërkombëtare herët a vonë do të duhej të rishqyrtojë hapat e gabuar që u ndoqën nga Brukseli dhe qendrat tjera të vendosjes për sa i përket (mos)zgjidhjes së konflikteve të hapura në mes të autoriteteve shtetërore e politike të Prishtinës dhe regjimit të pareformuar millosheviqian të Vuçiqit në Beograd.
Përfundimisht veriu i Kosovës i ngjan një pjese të makinës së prishur në ofiqinat e eksperimenteve gjeopolitike, e cila qëllimisht nuk riparohet, ose nëse riparohet kjo nuk zgjatë shumë, sepse duhet në vazhdimësi ekperimenti të vazhdojë të ushqejë ambicje që lidhje s’kanë me problemet reale të serbëve lokalë.
Ambicjet janë të tjera dhe ditëve në vijim do të jemi dëshmitarë të shohim se cilat do të jenë ato!