Kosova
Veriu kalon në duart e serbëve/ 21 prilli, dita e të vërtetës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për largimin e katër kryetarëve të komunave Veriore, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në Veri, u bë janarin e këtij viti.
Kryetarët shqiptarë të komunave Veriore, ishin zgjedhur më 23 prill të vitit të kaluar. Bojkotimi që serbët e Veriut – që janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – i kishin bërë këtyre zgjedhjeve, kishte bërë të mundur që për herë të parë ato komuna të udhëhiqen nga shqiptarët.
Mirëpo, ngjarjet që pasuan pas këtyre zgjedhjeve do të shkaktonin tensionet të larta në atë pjesë të vendit. Vendimi i institucioneve kosovare për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e komunave, kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë.
Të prirë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit – ata kishin qenë shumë të dhunshëm në protestat e 26 dhe 29 majit.
Madje, më 29 maj, si pasojë e dhunës së shkaktuar nga protestuesit serbë të Kosovës kishin mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, kryesisht italianë dhe hungarezë.
Për situatën e krijuar në Veri, fajtore kryesore nga bashkësia ndërkombëtare ishte bërë Kosova. Për këtë, ndaj Prishtinës zyrtare Bashkimi Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese – ende në fuqi.