Aktualitet
Vetëvrasjet që nxiten nga “Tik Tok”/ Karamuço fajëson Policinë e Shtetit: Duhet të…
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka folur mbrëmjen e sotme për krimet kibernetike, veçanërisht për vetëvrasjet nga kërcënimet dhe bullizimet në rrjetin social Tik-Tok.
Gjatë një interviste Karamuço u shpreh se situata është bërë shumë shqetësuese dhe se reagimet ndaj këtij fenomeni, janë disi të vonuara.
Ai shtoi se duhet t’i jepet fund fenomenit të hapjes së llogarive false që përdorin fotot të personave të ndryshme për t’i denigruar apo për t’i shantazhuar në forma të ndryshme.
Sipas ekspertit, duhet të krijohet një departament i posacëm që monitoron dhe pret ankesat e qytetarëve, për të parandaluar më pas ngjarjet tragjike.
“Fillohet nga vetë Policia e Shtetit që duhet të ndërtojë një departament serioz që monitoron dhe pret ankesa, edhe me iniciativën e saj ndërhyn për mbylljen e llogarive anonime apo llogarive të të miturve. Duhet të caktohet një moshë se kush mund ta përdore, gjë që po e bëjnë edhe vende të tjera. Gjithçka është e hapur dhe aktive, duhet të ndërhyhet. Kjo është një iniciativë e vonuar, para dy vitesh janë publikuar raste kur nga sfidat e “Tik Tok” janë vrarë dy fëmijë. U premtua për masa konkrete dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ne kemi të pambrojtur fëmijët. Mendoni tani që të miturit nën moshën 18-vjeç të shantazhohen me materiale të ndryshme. Perimetri i sigurisë është edhe perimetri virtual. Brenda shkollave tona dhe brenda celurarëve të fëmijë duhet të ketë kontroll”, – u shpreh ndër të tjera ai.