Connect with us

Bota

VIDEO/ 9 të vdekur në Iran, mes tyre një 16-vjeçar

Nëntë persona raportohet të janë vrarë në protestat në Iran të shkaktuara nga vdekja e një gruaje të arrestuar për dyshime se ka thyer rregullat e rrepta të hixhabit. Mes të vrarëve të raportuar është një djalë 16-vjeçar, i vrarë me armë zjarri kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve.

Trazirat janë përhapur në më shumë se 20 qytete të mëdha, duke përfshirë kryeqytetin e vendit Teheran. Videot e postuara në internet nga trazirat e së mërkurës treguan gra duke tundur shamitë e tyre në ajër dhe duke i djegur ato.

“Jo shamisë, jo çallmës, po lirisë dhe barazisë!”, protestuesit u dëgjuan duke brohoritur në një demonstratë në Teheran. Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Joe Biden tha se amerikanët qëndrojnë me “gratë e guximshme të Iranit që tani po protestojnë për të siguruar të drejtat e tyre themelore”.

 

 

Ai foli pasi presidenti iranian Ebrahim Raisi hodhi poshtë thirrjet e fuqive perëndimore për të respektuar të drejtat e grave. Mahsa Amini, një grua kurde 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, vdiq në spital të premten, pasi kaloi tre ditë në koma. Ajo ishte duke vizituar kryeqytetin e vendit Teheran me familjen e saj kur u arrestua nga policia e moralit, e cila e akuzoi për shkelje të ligjit që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab dhe krahët dhe këmbët me veshje të gjera.

Ka raportime se oficerët e goditën 22-vjeçaren duke ia përplasur kokën në një nga automjetet e tyre. Shefja në detyrë e OKB-së për të drejtat e njeriut Nada al-Nashif bëri thirrje të martën për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të paanshëm për vdekjen e zonjës Amini.

Ajo vuri në dukje se zyra e saj kishte marrë “video të shumta dhe të verifikuara të trajtimit të dhunshëm të grave” nga policia e moralit, e cila ka rritur zbatimin e rregullave të hixhabit në muajt e fundit. Nashif shprehu gjithashtu alarmin për “përdorimin e raportuar të panevojshëm ose joproporcional të forcës” kundër mijëra njerëzve që kanë marrë pjesë në protesta që kur Mahsa Amini vdiq.

Advertisement