Aktualitet
VIDEO/ Dhuna e fisit Rraja, administratori i gurores zbulon detaje nga sherri
Dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga pjesëtarë të fisit Rraja më 6 Korrik në një lokal në aksin Fushë Krujë – Thumanë pas konfliktit për punimet në gurore. Administratori i gurores në fshatin Borizanë, Alfred Karaj i cili ka miqësi dhe partneritet me fisin Rraja në këtë biznes, i ftuar në emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, ka thënë se dhuna barbare ndodhi pas një ngjarje në datën 4 Korrik.
Sipas tij, njëri prej kushërinjve Maja kishte dhunuar dhe kërcënuar dy punonjës të gurores dhe kishte ofenduar edhe pronarët. Kaq ka mjaftuar që të nxeheshin gjakrat dhe të ndodhte episodi i 6 Korrikut.
Spartak Koka: Ju e keni parë atë video, është e rëndë për këdo që e shikon atë akt dhune. Çfarë ndodhi? Çfarë ju shtyu ju.. ju keni një lloj miqësie me familjen Rraja apo jo?
Alfred Karaj: Patjetër, patjetër.
Spartak Koka: Me kë nga ata?
Alfred Karaj: Me Përparimin.
Spartak Koka: Përse arritëm deri te ky akt?
Alfred Karaj: Ai bëri gabimin e fundit, e bëri mos gaboj në datë 4.
Spartak Koka: 4? Një ditë pasi ka lënë punën?
Alfred Karaj: Diçka e tillë. Më vjen aty, më merr dy punonjësit, m’i merr peng te puna, i nxjerr nga kamerat, i largon nga kamerat, largohet rreth 200 metra te kthesa. Aty në atë moment godet punonjësin tim.
Spartak Koka: E ke me emër me mbiemër?
Alfred Karaj: Me emër me mbiemër, kemi dhe kallëzimin në polici që e ka godit. Pasi e ka goditur i ka nxjerrë armën, kallashnikov ja ka vënë në bark. E ke në polici.
Spartak Koka: Të shkruar?
Alfred Karaj: Patjetër. Kanë qenë 2 persona të mitë. Unë kam pasur dy punonjës të mitë. Pastaj pasi ju ka vënë kallashnikovin i ka sharë, i ka goditur, pastaj edhe pronarët ka thënë kështu-kështu. Aty janë nxehur gjakrat. Gjaknxehtësi e sipër që s’duhet të ndodhte.
Spartak Koka: Besoj se dhe ju jeni të arsyeshëm që s’duhet të ndodhin këto?
Alfred Karaj: Nuk jemi pro dhunës. Patjetër që ne nuk jemi për dhunë, kjo është një vepër e turpshme.