Lifestyle
VIDEO/ Ja kush fshihet pas “pastruesit të hekurt” që shastis fanatikët e palestrës
Të paktën një herë duhet t’iu jetë shfaqur në rrjetet sociale pastruesi i “hekurt”, i cili befason personat muskuloz, fanatikë të palestrës, teksa ai ngre pesha marramendëse.
Megjithatë, me siguri që shumë as nuk ia kanë idenë se kush është në të vërtetë personazhi i njohur si “Anatoli Powerlifter” në rrjetet sociale. Madje, shumë mund të kenë menduar edhe se videot janë të modifikuara.
Në fakt, gjithçka është reale dhe “Anatoli”, emri i vërtetë i të cilit është Vladimir Shmondenko, ka aftësinë t’i ngrejë ato pesha me aq lehtësi. Vladimir Shmondenko është 24-vjeç dhe është nga Ukraina, i cili nisi të merret me peshëngritje në vitin 2016.
Ai ka lindur në një familje të varfët në fshatin e vogël ukrainas Kristopovka në vitin 1999 dhe thotë se ka mbetur i magjepsur nga “bodybuilder”-ët më të famshëm botëror në kohën kur në fshatin e tij u vendos interneti për herë të parë.
Vladimir tregon se ai arriti të ndërtojë “palestrën” e tij personale me dru, tulla dhe hekura të vjetra traktorësh të kohës sovjetike. Në vitin 2018, ai zuri vendin e tretë në Kampionatin Botëror GPA dhe më pas gjithçka ndryshoi për të kur nisi të realizojë video për Youtube.
Sot, kanali i tij ndiqet nga 3.23 milionë persona dhe videot të gjitha kanë miliona shikime. Ai vishet si pastrues apo si i moshuar me rroba që i fshehin muskujt dhe befason personat e palestruar me peshat e mëdha që ngre.
Vladimir Shmondenko, edhe pse në moshën 24-vjeçare, ka arritur një pasuri, e cila vlerësohet rreth 1,45 milionë paund me të ardhura nga YouTube dhe reklamat e markave të fitnesit.