Sport
VIDEO/ Panik në fushë! Futbollisti bie pa ndjenja në fushë, ndeshja ndërpritet për 35 minuta
Reims dhe Lilë kanë përjetuar momente ankthi në stadium në ndeshjen mes tyre në Ligën 1. Një përplasje e dhunshme ka lënë pa ndjenja në fushë Angel Gomez dhe është dashur për shumë minuta ndihma e mjekëve që ai të largohej me ambulancë dhe ndeshja të rifillonte pas 35 minutash ndërprerje.
Në minutën e 18 të duelit, Gomez i Lilës u hodh në një duel ajror, por u përplas me shpatullën e Kone të vendasve, duke rënë menjëherë në tokë dhunshëm e duke përfunduar pa ndjenja.
Të gjithë lojtarët ndërhynë me shpejtësi për ta ndihmuar dhe ishte futbollisti Kabela ai i cili vrapoi për të sjellë maskën e oksigjenit se ndihma po vononte. Për shumë minuta në fushë mbretëroi kaos, derisa u bë e ditur se Gomez ishte i ndërgjegjshëm dhe se po përpiqeshin thjesht ta transportonin në ambulancë pa shkaktuar probleme.
Vetëm pasi lojtari u largua nga fusha, skuadrat vendosën të rifillonin lojën, pas një shtyrje që zgjati 35 minuta, ndërsa Kone ishte ndëshkuar me karton të kuq.