Connect with us

Shkrime

Videot seksi të amerikanit të FBI-së apo vera Masseto e shqiptarëve të politikës

Nga Lorenc Vangjeli – Politika po zjen nga skandali i ish- agjentit të FBI -së McGonigal. Opozita po pretendon se ka fakte që ky i fundit është i lidhur fort me qeverinë Rama. Po ashtu Berisha tha se ka video erotike ku përfshihen njerëz të Ramës.

Kemi edhe një kërkesë nga opozita për interpelancë me Ramën, dhe ky i fundit nuk i përgjigjet dhe prej tre javësh, duke e braktisur Parlamentin. Po ashtu duhet thënë se kemi përjashtime të njëpasnjëshme të deputetëve të opozitës nga seancat plenare.

Gjithë kjo panoramë sa e rëndon pozicionin e Ramës?

Ka të paktën pesë pjesë të ndryshme pyetja juaj dhe është e vështirë të përmbledhësh në pak rreshta përgjigjet për to, që për më tepër, përfshijnë gjithë zhvillimet e fundit të politikës.
Së pari, në mënyrë telegrafike, duke kontestuar tofjalëshin “lidhur fort me qeverinë Rama”, duhet saktësuar se është e vërtetë se ka pasur një marrëdhënie/kontakt/bashkëpunim mes kryeministrit dhe ish-agjentit të FBI-së, por zhvendosja në kohë, gjykimi i të shkuarës me pasojat që kanë ardhur në të ardhmen, është mënyra më e mirë e mundshme për t’ju larguar të vërtetës.

Sepse deri në momentin që zoti McGonigal ka qenë në detyrë e më pas kur doli në pension dhe përpara se të nisnin zyrtarisht problemet e tij me drejtësinë, marrëdhëniet/kontaktet/bashkëpunimi me të nuk kanë pasur absolutisht asgjë të keqe, përkundrazi. Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, këto kontakte mund të kenë qenë formale, informale apo qoftë dhe të një shkalle njerëzore dhe këtu nuk ka mëkat dhe nuk ka as faull politik. Problemi do të krijohej nëse ato do të frymëzoheshin nga interesa që nuk lidhen me detyrën.

Në rastin e MCGonigal ato janë nën dyshim e hetim, në rastin e zotit Rama ende jo. Bën përshtypje të madhe fakti që sa kohë kjo çështje është në gjykatë në SHBA, në Tiranë prokurorët dhe gjykatësit zulmëmëdhenj shqiptarë, kanë dhënë vendimin e tyre. Ata kanë përcaktuar fajtorët dhe madje edhe kanë shqiptuar dënimin për ta. “80 vjet burg, asnjë ditë më pak për Edi Ramën!”, thotë zoti Berisha që edhe njëherë si shumë herë të tjera, refuzon të ndajë dëshirat e tij me realitetin që nuk varet prej tij. Pritshmëritë e Doktorit që Rama të ekzekutohet me instrumente amerikane përballë asaj që vetë amerikanët nuk e kanë bërë ende, janë jorealiste për momentin.

Kjo çështje është tmerrësisht komplekse, me shumë të panjohura dhe me shumë pak detaje të ditura. Kush betohet se di më shumë se të tjerët detaje të saj, në të njëjtën kohë edhe gënjen më shumë. Ky është rast tipik kur edhe bregu tjetër i Atlantikut shihet nga mendësia shqiptare dhe gjykohet siç ndodh zakonisht në Shqipëri.
Së dyti, historia e videove erotike është një dorë kripë e piper mbi pjatën e servirur që tenton ta bëjë atë më pikante për publikun. Dhe në fakt, ngjall shumë kuriozitet, por shmang vëmendjen nga çështja kryesore.

Njëlloj si “thriller”-i i shpikur për rrëmbimin e Ramës që u morr për tre ditë në pyetje nga FBI-ja në një ishull. Për ta saktësuar, edhe partizanët më të mëdhenj të videove, edhe ata që rrëfejnë se i kanë parë, nuk arrijnë deri aty sa të pranojnë se kanë pamje orgjish nga dhoma hotelesh. Pretendimi se ka fotografi të shkrepura në klube, mes njerëzish që duket se festojnë me zotin McGonigal e ndoshta dhe me prani të papërshtatshme “mysafirësh”, ka shumë gjasa të jetë e vërtetë, por kjo nuk i shton gjë vetë çështjes.

Ato mund t’i japin pak më shumë adrenalinë kureshtjes vuajariste të spektatorit BigBrotherist shqiptar, por nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes. Për më shumë, fotot e shkrepura të dy deputetëve të rëndësishëm të Kuvendit, një majtas dhe një djathtas, në tavolinën e të cilëve spikasnin krenare shishet e verës Masseto, normalisht duhet të shkaktonin një tronditje shumë më domethënëse. Masseto është një verë italiane e cila që tek adresa e prodhuesit, në një vit normal, kushton minimalisht një mijë euro shishja, kurse në vit të mbarë prodhimi, çmimi shkon, por nuk përfundon, në dy mijë euro. Kështu që ja vlen të thuhet se çfarë vlen më shumë seksi dhe pija e McGonigal nga SHBA-ja apo shijimi i kësaj vere nga shqiptarët parlamentarë, që me rrogën e deputetit nuk do të shkonin dot më shumë sesa tek e freskuara tradicionale me gotën e dhallës.

Stili i pabesueshëm i jetesës së atij grushti njerëzish që e kanë lidhur jetën me politikën, udhëtimet, banesat deri dhe garderobat e tyre janë vetakuza më e rëndë që këta vanitozë, ja dëshmojnë publikut. Përveçse grabitës, janë edhe budallenj sepse tregojnë me krenari edhe se janë të tillë duke treguar gjurmët e parave të grabitura.

Çdo e enjte parlamentare mjafton gjithashtu që të jetë aktakuzë për një numër të madhe deputetësh, kur ata parakalojnë luksin e tyre të ngjeshur në trup apo makinat e parkuara në rrugë, në të njëjtën formë dhe mënyrë që siç e bëjnë edhe banditët e rëndomtë. Ata tipat me identikit të pandryshueshëm: makina me cilindratë të madhe, atlete qindra euro në këmbë dhe zinxhirë të trashë ari në qafën që rrotullon me vështirësi kokën e tyre të qethur zero.
Së treti, herët a vonë Rama do të paraqitet në Kuvend, por për paradoks, praninë e tij aty nuk e duan pikërisht ata që e kërkojnë. Pra, deputetët e opozitës. Kur dy të hëna më parë u paralajmërua interpelanca që Rama kërkoi ta mbajë në vend të tij zonja Spiropali, strategjia e opozitës ishte prishja e seancës. Edhe nëse Rama do të ishte ndodhur në parlament, siç do të kishte qenë e udhës të bënte, seanca do të kishte pasur po të njëjtin fat. Do të ulërihej, do t’i bihej me dorë tavolinave dhe do të frynte bilbili. Në një rast të tillë, Rama do të ishte më se i justifikuar të thoshte: Erdha t’ju flas, por ju nuk doni të dëgjoni! Shmangia e tij i dha hapësirë opozitës për serinë e fundit të akuzave, që shtohen kur nuk marrin përgjigje. Mjaftonte që Rama të mos thoshte asgjë më shumë në seancë sesa ato çfarë tha në katër studio të ndryshme televizive në lidhje direkte dhe kjo do të ishte një dhembjekoke më pak për të.

Së katërti, përjashtimi i deputetëve të opozitës është një gabim i përsëritur. Maxhorancat si rregull duhet të kenë një nivel më të madh tolerance qoftë edhe ndaj ekzagjerimeve të opozitës. Në parlament, si rregull, maxhoranca duhet të jetë më shumë vesh se gojë, kurse opozita është e kuptueshme të jetë më shumë gojë që flet se vesh që dëgjon sepse nuk ka gjë tjetër në dorë. Shqiptarëve ju kursye një shfaqje që dihej sesi do të ishte.

Si rregull dhe jo si përjashtim, do të shfaqeshin deputetë një krahu që do të trimëroheshin me hartime dy lekëshe, me disa që do të hidhnin valle shpatash në gojën e Ramës, dhe ca të tjerë që do të silleshin në të njëjtin haur të varfër fjalësh me elegancë thundrash që nuk e kanë problem se çfarë do t’u shkelnin patkonjtë.

Të tjerë nga pakica do të vendosnin me shumicë shprehjen se ajo ditë duhej të vendosej në kalendar “si dita më e zezë të historisë së parlamentarizmit” shqiptar. Nga krahu tjetër do të kundërsulmonin non gratën, do të thoshin se janë një celulë antiamarikane në Tiranë, që shqiptarët do t’i ndëshkonin sërish e sërish me votë e kështu me rradhë. Vetë kuja do të vinte kujën kur të shihte FBI-stat shqiptarë të parlamentit, pavarësisht përjashtimeve domethënëse mes tyre, që do të pretendonin se dinë më shumë se vetë FBI-ja dhe se janë më të drejtë se gjykatësit nga SHBA-ja.

Zërat logjikë, individë të mençur dhe njerëz seriozë që janë një pakicë në atë sallë, qoftë nga e majta dhe qoftë nga e djathta, do të mbeteshin sërish në pakicë. Kur uturin, buçet e kërcet daullja, nuk dëgjohen violinat.
Së pesti, për pozicionin e Ramës tashmë ka një risi. Për momentin ajo as e rëndon dhe as e lehtëson pozitën e tij.

Thjesht tashmë pozita e kryeministrit është më e ndërlikuar se dje deri në momentin që do të verifikohet se është ndryshe nesër.
Për të gjitha palët e përfshira në këtë duel qesharak vlen të thuhet se ka një nevojë dëshpëruese për durim.

Por durimi në Shqipëri është me prostatë. Ndaj shumëkush rend ta derdhë edhe individualisht marrëzinë kolektive ku të mundë.

Berisha nuk po ndalet me protesta, pasi thirri dy të parat i ka kërkuar demokratëve që të protestjnë para parlamentit çdo të enjte, ndërsa në tre mars do protestojë dhe para gjykatës. Në 3 mars është edhe protesta kombëtare. A mendon se protestat në Shqipëri janë zgjidhje për rotacion qeverie.

Nuk ka marrëzi më të madhe se të provosh të njëjtat veprime me shpresë se rezultati nesër do të jetë ndryshe. Protestat sado që janë një ushtrim i jashtëzakonshëm dhe i nevojshëm për demokracinë, sado që janë antibiotiku dhe vitaminat e dëshiruara për të, sado që janë palestra e duhur për forcimin e demokracisë, praktikisht ato nuk kanë rezultat. Për shumë arsye.

Duke nisur me moskalimin e masës kritike të mbështjetjes qytetare për to dhe duke vazhduar me hipokrizinë e përdorimit të tyre. Si rregull protestat masive janë një shkak për rotacion sepse dëmtojnë legjitimitetin moral të një qeverisjeje. Ato shërbejnë për të katalizuar votën dhe për ta mundur kundërshtarin me votë. Sepse siç duken gjasat, pavarësisht tyre, socialistët do të rimarrin një fitore të thellë në 14 maj.

Edhe pse të vënë nën presion, ata janë shpërndarë në mënyrë kapilare në fushatën ende të panisur zyrtarisht, ndërkohë që kundërshtarët e tyre shkruajnë slogane për t’ja treguar kamerave në bulevard në Tiranë. Më shumë se radikale, opozita duhet të jetë normale që të shfaqet si alternativë qeverisjeje.

Kemi një lideri opozite të shpallur non grata në SHBA, nga ana tjetër kryeministri Rama ështe në një pozitë të vështirë në dyshimim e mpleksjes me zyrtarin e larte të FBI të proceduar për lidhje me oligarket rusë dhe korrupsion. Një vit më parë Rama sulmonte Berishën me kartën Amerike, sot Berisha sulmon Ramën me të njëjtën formë.

Përse kjo situatë dhe sa e penalizon vendin?

Ky është paradoksi më i madh dhe më qesharak. E thënë me fjalë të thjeshta duket se një non grata i sanksionuar si i tillë nga amerikanët, ka rrëmbyer flamurin për të mbrojtur Amerikën nga korruptonjësi Edi Rama. Prapë është rradha që kuja të vejë kujën dhe të vejë me ngut këmbët aty ku i vrapojnë sytë. Një situatë e tillë më shumë se penalizon vendin, e bën atë qesharak.

Kjo situatë a paralajmëron nisjen e një fundi politik të tre dekadave të fundit, si në formë qeverisëse ashtu edhe në emra, apo jemi ende shpejt?

Ka një të vërtetë që SHBA vendosi sanksione me shpalljen “non grata” të disa individëve, por në asnje rast nuk i ka dëmtuar rëndë personazhet.

Atë që SHBA nuk e arriti me vendime politike, a mund ta arrijë me institucionet e drejtësisë këtu tek ne, veçanërisht me SPAK, apo edhe ky institucion është i frikësuar nga elita politike në mazhorancë dhe opozitë?

Ka një përkitje të jashtëzakonshme me shpresën e shqiptarëve që po degdiseshin në anën e errët të perdes së hekurt në 1945-ën me të njëjtën shpresë të sotme që ky instrument do të zgjidhë hallet e përditshmërisë sonë. Në mes të shekullit të kaluar pritej zbarkimi angloamerikan për të shpërtuar Shqipërinë nga bajonetat e Hoxhës së paudhë, tani pritet që non gratat e tyre të na shpëtojnë nga mbartësit e korrupsionit masiv dhe gogolët e korrupsionit vendas.

Më shumë sesa të qahemi nga fati i të voglit që gjithmonë kutërbon e qelb dynjanë, duhet të rritemi vetë për të qenë të vetëmjaftueshëm dhe për të korrigjuar ata që kanë qeverisur prej tre dekadash. Instrumenti angloamerikan i ndëshkimit me non grata është i jashtëzakonshëm, por nuk janë ata që do të vijnë të pastrojnë haurin tonë vezullues të politikës.

E kanë bërë duke asistuar për reformën në drejtësi, por lopatën duhet ta marrin shqiptarët në dorë. Unë besoj fort se stapi i SPAK-ut, do të godasë fort në një të ardhme të afërt, por edhe kjo nuk është zgjidhja përfundimtare. Drejtësia ndëshkon individin, por nuk ndryshon ngjyrën në qeverisje. Ajo mund të mohojë edhe një grup politik, por nuk mund të pohojë grupin tjetër.

Demokracia ka votë dhe zotër të votës. Edhe kur ajo deformohet, kur vendoset në bursë për t’u tregtuar apo edhe kur thjesht kur grabitet, vetëm vota ka forcën për të ndryshuar. Edhe pse rasti mes socialistëve dhe demokratëve, në sytë e publikut, është ende edhe për një mandat të katërt, një zgjedhje mes shiut që lag dhe breshërit që të vret.

Advertisement