Politike
Vijon ‘drama’ Lapaj-Shabani/ U rendit e treta në listën e mbyllur, kandidatja e ‘Shqipëria Bëhet’ kërkon të marrë mandatin e Tiranës

Kleana Xhuveli, e cila garoi në zgjedhjet e 11 majit në krah të Adriatik Lapajt me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, ka vendosur të tërheqë dorëheqjen e saj të mëparshme.
E renditur e treta në listën e kandidatëve për qarkun e Tiranës, Xhuveli kishte paraqitur më herët kërkesën për të hequr dorë, por tashmë ka ndryshuar qëndrim.

Përmes një letre zyrtare drejtuar KQZ, ajo ka shpjeguar arsyet që e çuan në këtë vendim, duke sqaruar motivet që e bindën të vijojë angazhimin e saj.
Kështu, Xhuveli ka ndjekur shembullin e Zeqir Kordhonit, dajës së Endrit Shabanit, kreut të Nismës Thurje, i cili ditë më parë njoftoi se kërkonte të tërhiqej nga dorëheqja e mandatit dhe se do të ishte i gatshëm ta merrte atë.
Pikërisht kjo lëvizje solli edhe krisjen përfundimtare në marrëdhënien mes Lapajt dhe Shabanit, ku të dy shkëmbyen akuza për tradhti politike.

