Aktualitet
Vijon lirimi i hapësirave publike në Vlorë, “zhduket” parkingu pa leje

Lirohet një hapësirë publike e kthyer në parkim të paligjshëm, në lagjen “Rilindja” si dhe vijojnë masat ndaj automjeteve që bllokojnë qarkullimin në qytet dhe zonat turistike.
Pas ankesave të qytetarëve për një hapësirë publike që ishte zënë dhe po përdorej në mënyrë të paligjshme si parkim automjetesh, midis pallateve të banimit në lagjen “Rilindja”, shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë, ndërhynë dhe bënë të mundur lirimin e kësaj hapësire, duke rikthyer aksesin për të gjithë banorët e zonës.
🅿️🚫 Paralelisht, gjatë 48 orëve të fundit, strukturat e DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë kanë intensifikuar kontrollet për ndëshkimin e drejtuesve që parkojnë në mënyrë të gabuar, duke penguar qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve, veçanërisht në zonat më të frekuentuara si “Muradia”, bulevardi “Ismail Qemali”, Lungomare, si dhe në akse të tjera me fluks të shtuar për shkak të sezonit turistik.
Si rezultat, vijojnë të vendosen qindra masa administrative ndaj drejtuesve që kanë bllokuar trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorët, si dhe të largohen me karrotrec automjetet që pengojnë qarkullimin në qytet.
✅ Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

