Aktualitet
VIZATOHET KUFIRI/ Trump inkurajon ndarjen e Kosovës, duke rrezikuar një valë të re të tensioneve
Përtej nivelit spekulativ të përzgjedhjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për postet kryesore të politikës së jashtme, ekspertët paralajmërojnë se një ndryshim potencial në politikën e Shteteve të Bashkuara mund të dëmtojë konsensusin transatlantik për Ballkanin Perëndimor, posaçërisht rreth paprekshmërisë së kufijve.
Të pyetur nëse Shtetet e Bashkura do të vazhdojnë të angazhohen në dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, apo do të anojnë drejt një zgjidhjeje unilaterale të konfliktit, njohësit e çështjeve politike kanë dilemat e tyre, por pritshmëritë janë që Trumpi të vazhdojnë qasjen transaksionale në politikën e jashtme.
Për zëvendësdrejtorin e Inciativës Evropiane për Stabilitet, Kristof Bender, pavarësisht se kush do të emërohet përfundimisht Sekretar amerikan i Shtetit, rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk është një lajm i mirë për Kosovën, duke marrë parasysh edhe trashëgiminë kontraverse të administratës së tij të parë gjatë viteve 2017-2021.
Bender kujton se përgjatë tre dekadave të fundit, amerikanët dhe evropianët kanë qenë unikë rreth kursit politik në Ballkanin Perëndimor, duke promovuar stabilitetin dhe mosprekjen e kufijve. Megjithatë, sipas tij, gjatë mandatit të parë të Trumpit, ky konsensus u zbeh, posaçërisht kur në tryezë u hodh ideja e shkëmbimit të territoreve.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se janë kundër çfarëdo “projekti apo zgjidhje” në kuadër të së cilës Kosova dhe Serbia do t’i rivizatonin kufijtë e tyre territorialë përgjatë vijave etnike.
Rreth kësaj ideje janë deklaruar së fundmi edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Kandidatja për Komisionare të Zgjerimit, Marta Kos, derisa ka folur në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian javën e kaluar, ka komentuar edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa kur është pyetur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve, ka ritheksuar se Komisioni Evropian nuk do t’i japë mbështetje kësaj ideje.