Connect with us

Sport

Vlera e ekipit kuqezi në shifra rekord, ja sa kushton formacioni më i shtrenjtë

Shqipëria është duke u përgatitur për dy ndeshjet e pak ditëve më vonë, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe. Një ndër dilemat e mëdha te kuqezinjtë është edhe formacioni startues, kjo për faktin se Silvinjo ka drejtuar vetëm një ndeshje dhe është në fillimet e tij në këtë aventurë, çka do të thotë se do ende kohë që të krijojë “formacionin ideal”, edhe pse braziliani erdhi me risi, ku në sy ranë përfshirja në Kombëtare e Jasir Asanit, Anis Mehmetit apo edhe kthimi i Armando Sadikut.

Por, nëse shohim se sa vlejnë futbollistët e përfaqësueses, gjithmonë duke respektuar kontributin që ata japin për këtë fanellë, cili do të ishte formacioni më i shtrenjtë te Kombëtarja shqiptare. Duke iu referuar listës aktuale, pa përfshirë lojtarët e dëmtuar si Armando Broja, Marash Kumbulla, Ivan Balliu dhe Klaus Gjasula dhe gjithashtu duke u mbështetur te faqja e njohur “Transfermarkt”, njëmbëdhjetëshja e Shqipërisë do të ishte kështu: Në portë Tomas Strakosha, i cili aktualisht vlen 4 milionë euro.

Ndërkohë në mbrojtje me katër, do të ishin: Elseid Hysaj i Lacios me vlerë të njëjtë me portierin, Ardian Ismajli me 3.5 mln euro, Berat Gjimshiti që është edhe lojtari më i shtrenjtë i këtij formacioni dhe kartoni i vlen 13 milionë euro dhe nga krahu i majtë Mario Mitaj me 1.2 mln. Mesfusha do të formohej nga Keidi Bare që vlen 3 mln euro, Qazim Laçi 1.8 dhe Kristjan Asllani që renditet i dyti pas Gjimshitit dhe kushton 12 mln. Përpara, deri dje kishte një balotazh në vlerë nga Myrto Uzuni, i cili u ngjit në La Liga dhe Nedim Bajrami që është pjesë e Sasuolos në Serinë A, me nga 8 milionë euro, por dje vlera e kartonit të Uzunit është rritur me një milion dhe ka shkuar në 9.

Ndërkaq, sulmuesi i tretë që zë vend në këtë formacion është Ernest Muçi që aktualisht kartoni i ka shkuar 2.5 mln euro. Ky formacion u krijua nga lista aktuale e trajnerit Silvinjo, por nëse do të llogarisim edhe lojtarët e dëmtuar, atëherë në majën e sulmit do të ishte Armando Broja me vlerë 30 mln euro. Në qendrën e mbrojtjes Ismajli do të zëvendësohej me Kumbullën që vlen 9 mln dhe në krahun e djathtë të prapavijës do të ishte Balliu me 4 mln dhe majtas do të kalonte Hysaj.

Advertisement