Aktualitet
VOA: Atentatet ndaj Donald Trump nuk ndryshojnë pikëpamjet mbi armëmbajtjet në SHBA
Kandidati republikan për president Donald Trump ka qenë objektiv i dy atentateve gjatë kësaj fushate. Zëri i Amerikës foli me disa pronarë armësh, të cilët, siç njofton korrespondentja Veronica Balderas Iglesias, thonë se atentatet nuk kanë ndryshuar pikëpamjet e tyre për ligjet e armëve.
Forcat e rendit penguan një atentat kundër ish-presidentit Donald Trump, duke arrestuar një të dyshuar me armë në një fushë golfi në Florida në fillim të këtij muaji.
Kjo pason një atentat tjetër në një tubim fushate në Pensilvani në korrik, në të cilin u plagos zoti Trump.
Zëri i Amerikës pyeti pronarët e armëve se si po ndikojnë këto atentate në pikëpamjet e tyre mbi kontrollin e armëve në këto zgjedhje. Matthew Gonzales thotë se ishte i tronditur nga sulmet ndaj zotit Trump, por shton se të gjithë amerikanët kanë të drejtë të vetëmbrohen.
“Çdo njeri i keq mund të ketë në dorë një armë. Nuk është e vështirë të sigurohen ato. Gjithmonë do të ndodhë. Kjo është arsyeja pse ju duhet të keni kujdes për veten tuaj”, thotë ai.