Bota
VOA: Kontrolli i Prigozhinit mbi grupin Wagner i paqartë
Largimi i udhëheqësit të grupit Wanger, Yevgeny Prigozhin në Bjellorusi ka lënë paqartësi mbi kontrollin e tij mbi grupin Wagner. Fati dhe drejtimi i grupit, që përfshin pasuri dhe operacione ushtarake në mbarë botën, nuk dihet ende. Ekspertët thonë se kjo pasiguri mund të shfrytëzohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi që të shkëpusin ndikimin e grupit Wanger në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Yevgeny Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, ndodhet në Bjellorusi dhe nuk do të ndiqet penalisht për rebelimin e armatosur, të pasuksesshëm, ndaj Kremlinit. Sipas Presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, ai dhe një pjesë e trupave të tij mund të qëndrojnë “për pak kohë” me shpenzimet e tyre në Bjellorusi.
Catrina Doxsse, bashkëpunëtore në Qendrën për Studime Strategjike në Uashington, thotë se rebelimi përfaqësoi kërcënimin më të madh për presidentin e Rusisë.
“Pa dyshim, ishte kërcënimi më i madh për Vladimir Putinin. Megjithatë, mendoj se kërcënimi nuk qëndronte tek rreziku se mund të rezultonte në një grusht të vërtetë shteti. Kërcënimi qëndron tek dobësitë, që ekspozoi rebelimi”, thotë Catrina Doxsee nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare
Në fjalimet e tij, pas rebelimit të grupit mercenar, presidenti rus është përpjekur të dëshmojë autoritetin e tij. Edhe pse ka kritikuar udhëheqësin e tyre Yevgeny Prigozhin, zoti Putin ka lavdëruar trupat e grupit mercenar që shmangën gjakderdhjen dhe e ndërprenë marshimin e tyre drejt Moskës.
Megithatë, fati dhe kontrolli i grupit Wagner, që përfshin pasuri dhe operacione ushtarake në mbarë botën, mbetet i paqartë.
“Dislokimet e trupave të grupit Wagner dhe të gjitha operacionet e tjera ushtarake të këtij grupi janë shumë të rëndësishme për Moskën. Në thelb, gjatë viteve të fundit, operacionet ushtarake të këtij grupit kanë qënë në ballë të përpjekjeve të Rusisë për të zgjeruar ndikimin e saj gjeopolitik në Afrikë dhe rajone të tjera. Nëse ata lejojnë që Prigozhini të vazhdojë të kontrollojë grupin Wagner, do të marrin një goditje të rëndë në pikëpamje të ndikimit të tyre gjeopolitik, vlerësimeve ushtarake dhe zbuluese dhe humbjes në terma financiar të të gjitha burimeve natyrore që kanë shfrytëzuar. Ky element i fundit është shumë i rëndësishëm për shkak të numrit të lartë të sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Rusisë pas sulmit ndaj Ukrainës”, thotë Catrina Doxsee.
Sipas zonjës Doxsee e gjithë kjo pasiguri, veçanërisht lidhur me rrjetet e gjera të grupit Wanger në Afrikë apo Lindjen e Mesme, përfaqëson një mundësi shumë të madhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Perëndimin që të shkëpusin ndikimin e grupit Wanger nga këto rajone dhe të përqëndrohen në vende të tjera ku kryen aktivitete ky grup.
Të hënën, Yevgeny Prigozhini kritikoi sërish ushtrinë ruse. Është e paqartë nëse ai do të jetë në gjendje të ruajë kontrollin mbi grupin Wanger.
Presidenti rus u ka ofruar luftëtarëve të Prigozhinit t’i bashkohen komandës së ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, të largohen nga shërbimi, ose të shkojnë në Bjellorusi. Nga ana e tij, Progozhini tha, pa dhënë shpjegime të tjera, se udhëheqësi bjellorus i kishte propozuar alternativa që do të lejonin që grupi Wagner të ushtronte veprimtarinë “brenda kuadrit ligjor”, por ishte e paqartë se çfarë nënkuptonte ai me një gjë e tillë.
Marrë nga VOA