Kronike
Vodhën 5 mln lekë nga bankomatët në Tiranë, në kërkim 3 rumunët
Katër raste vjedhjesh dhe 2 të tjera të mbetura në tentativë kanë zbuluar skemën e një grupi prej tre rumunësh të cilët vidhnin para nga bankomatët në Tiranë. Policia ka arritur t’i identifikojë dhe të tre janë shpallur në kërkim.
Nga 9 dhjetori i vitit 2023 deri në 6 janar, tre rumunët kanë arritur të kryejnë vjedhje në katër raste, ndërsa në 2 raste të tjerë pavarësisht tentativës nuk kanë arritur që të vjedhin para.
Po çfarë skeme përdornin rumunët? Burime për Report Tv, bëjnë me dije shtetasit e huaj nga Rumania arrinin që të klononin karta bankomati dhe kanë arritur që të marrin rreth 5 mln lekë. Jo vetëm bankat e nivelit të dytë, por viktimë në këtë skemë kanë rënë edhe disa qytetarë të vendit, ku autorët kanë arritur që të klonojnë kartat e tyre dhe më pas kanë bërë tërheqjen e shumave të parave.
Krimi Kibernetik prej disa ditësh ka mundur të identifikojë autorët, të cilët janë në ndjekje, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjeve kriminale dhe rasteve të tjera nëse janë të përfshirë.
Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, operacioni policor i koduar “Goldish Axe”.
Vodhën shuma monetare duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike, me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave te vjedhura dhe duke dëmtuar ATM, me mjete të forta, për të ndërhyrë në sistemet e tyre, në 2 institucione të ndryshme financiare.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 shtetas rumunë.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, 2 raste mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 shtetas.
Shpallet në kërkim automjeti tip “Volksëagen”, të cilët autorët kanë përdorur për të lëvizur, gjatë ngjarjeve.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, ku u tentua dhe u vodhën disa ATM të institucioneve financiare në Tiranë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i hetimeve intensive të kryera, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
F. O., 51 vjeç, M. M., 45 vjeç, A. S., 20 vjeç, të tre shtetas Rumun dhe banues në Rumani.
Nga veprimet hetimore intensive të kryera ka rezultuar, se këta shtetas, më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, kanë tentuar të vjedhin dhe gjithashtu kanë vjedhur, me anë të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, me karta të klonuara, karta të vjedhura në shtete të huaja dhe duke dëmtuar disa ATM në Tiranë, shuma parash, në disa ATM po në kryeqytet.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, janë autorë të 2 rasteve të mbetur në tentativë, 1 vjedhjeje në datë 06.01.2024, dhe të 3 vjedhjeve të tjera, të ndodhura më datë 09.12.2023.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve kriminale dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.