Aktualitet
Vota e diasporës/ KLGJ krijon platformën për të shqyrtuar ankesat e emigrantëve: Afat deri më 11 prill

Emigrantët shqiptarë që kanë aplikuar për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit, por nuk e gjejnë emrin e tyre në listë, kanë afat të ankohen deri më 11 prill në Këshilli i Lartë Zgjedhor (KLGJ). Në portalin e KLGJ është krijuar një faqe enkas për diasporën shqiptare ku mund të ankohen.
Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më 6 mars, KLGJ ngriti platformën elektronike për të zgjedhësit në diasporë, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit. Kërkesat e zgjedhësve për të votuar do të dërgohen në adresën diaspora@gjykata.gov.al, e më pas brenda 48 orësh Gjykata e Tiranës duhet t’i marrë në shqyrtim.
“Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kërkesa mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kërkesa sipas kësaj pike përjashtohet nga taksa gjyqësore. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesën, sipas kësaj pike, nëpërmjet kësaj platforme brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës. Emrit dhe të dhënave të tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i Gjykatës”, thuhet në Kodin Zgjedhor.
Në total janë 245,975 shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, të cilët do të ushtrojnë të drejtën e votës. Deri më tani raportohet se u është refuzuar kërkesa 48,180 qytetarëve për shkak të gabimeve në fazën e rregjistrimit apo dokumentacionit jo të plotë. Në mesnatën e 4 marsit u mbyll aplikimi online në platforën PER. Për herë të parë, emigrantët do të votojnë me postë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 majit.

