Connect with us

Politike

Votat e Greqisë/ Vendimi i KAS: Akti i Celibashit në shkelje të Kodit Zgjedhor

Është zbardhur vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve që rrëzoi kreun e KQZ Ilirjan Celibashi për votat e Greqisë. KAS vlerëson se kreu i KQZ ka uzurpuar kompetencat me vendimin e marrë për të lënë mënjanë votat e shqiptarëve nga Greqia. Sipas KAS vendimi është nxjerrë në kundërshtim të Kodit Zgjedhor, pasi kjo kompetencë i takon Rregullatorit.

Sipas KAS, vetëm Rregullatori ka të drejtën për të ndryshuar rregullat për votimin nga jashtë vendit, me vendime të marra me shumicë të cilësuar.

“Vendimi i Komisionerit nr. 1121, datë 12.05.2025, është nxjerrë në kundërshtim me shkronjën “n” të pikës 1, të nenit 19, të Kodit Zgjedhor, sepse Komisioneri nuk mund të ushtrojë kompetenca, të cilat u janë njohur shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it. Ky vendim është gjithashtu në kundërshtim me shkronjën “dh” të pikës 1, të nenit 20, të Kodit Zgjedhor, sepse miratimi i rregullave për procedurat e votimit, për administrimin dhe për numërimin e votave nga jashtë vendit është kompetencë ekskluzive e Rregullatorit.Kodi ka ngarkuar Rregullatorin me kompetencën për nxjerrjen e akteve me karakter normativ dhe, për këtë qëllim, i ka dhënë atij edhe një instrument të posaçëm pushteti, të cilin nuk e kanë organet e tjera drejtuese të KQZ-së. Vendimet e Rregullatorit merren, si rregull, kur pro tyre votojnë së paku katër anëtarë. Aktet normative, sipas Kodit, janë akte që duhet të gëzojnë konsensus të lartë. Nxjerrja e akteve me karakter normativ drejtpërdrejt nga Komisioneri jo vetëm bie ndesh me një kompetencë të shprehur ligjërisht, por, për më tepër, godet pikërisht këtë pushtet të posaçëm ligjor që i është dhënë Rregullatorit dhe akteve të tij.” thuhet nder te tjera ne vendim.

Në përfundim, KAS vendosi se vendimi i Komisionerit është në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor dhe Kodin e Procedurave Administrative, dhe për këtë arsye shfuqizohet si akt i pavlefshëm. Zbatimi i mëtejshëm i tij ndalohet dhe numërimi duhet të vijojë, ndërsa në fuqi mbeten vendimet ekzistuese të Rregullatorit.

Advertisement