Aktualitet
Vrasja e Anesti Ramës në Frashër, prokuroria e Fierit procedon penalisht për 2 vepra penale vajzën

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 1073, datë 24.07.2025, për dy vepra të rënda penale ndaj tre shtetasve, që akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, masakruan një 56-vjeçar, Anesti Rama në fshatin Frashër.
Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2025, rreth orës 21:16, kur në Sallën Operative Fier u bë një telefonatë për një person të dëmtuar në banesën e tij. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier mbërriti në vendngjarje dhe gjeti shtetasin Anesti Rama të pajetë në sallonin e shtëpisë, i veshur me kostum dhe këmishë.
Hetimet paraprake zbuluan se trupi i viktimës kishte dëmtime të dukshme në fytyrë dhe në pjesën ballore të kokës. Fillimisht, familjarët pretenduan se A.R. ishte rrëzuar në tualet. Sipas deklarimeve të së bijës, Emanilda Rama dhe bashkëshortes së viktimës, V.R., ato e kishin gjetur pa shenja jete në tualet dhe më pas e kishin pastruar dhe veshur për qëllime ceremoniale, duke pastruar edhe vendin e ngjarjes.
Megjithatë, pas veprimeve të para hetimore dhe përdorimit të metodave proaktive të hetimit, Prokuroria arrestoi në flagrancë shtetasen E.R., të dyshuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, si dhe Valbona Rama, për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Po ashtu, u ndalua me iniciativë shtetasi Çlirim Dogani, i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, pasi dyshohet se kishte raport intim me vajzën e viktimës.
Prokuroria kërkoi dhe mori miratimin nga gjykata për masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Fierit theksoi se do të vijojë me përkushtim hetimin e plotë të ngjarjes dhe vendosjen përpara drejtësisë të çdo personi që kryen vepra penale kundër jetës.

