Connect with us

Kronike

Vrasja e babait të Roan Brahimit ende s’ka autor! Policia kontrolle në Fushë-Kuqe dhe Mirditë

Sot i është dhënë lamtumira Gjovalin Prendit, babait të të ndjerit Roan Brahimi, i cili u vra pak ditë më parë në lokalin e tij në fshatin Pllanë të Lezhës. Për vrasjen e Gjovalin Prendit, sot janë ushtruar kontrolle në disa banesa në zonën e Fushë Kuqes në Kurbin, por po ashtu uniformat blu kanë shkuar edhe në Mirditë. Një tjetër objekt që është kontrolluar është edhe banesa e Ardian Gjeloshit, i cili pak kohë më parë i shpëtoi një atentati në biznesin e tij, por humbi jetën ekonomisti Selman Mihana.

Ende nuk ka informacione dhe as një njofim zyrtar nëse gjatë kontrolleve janë gjetur prova që mund të përdoren për hetimin, apo nëse ka të shoqëruar dhe të marrë në pyetje lidhur me rastin. Paraprakisht dyshohet se i ati i Brahimit është vrarë si pasojë e hasmërive që la pas djali i tij që u ekzekutua në Athinë një vit më parë.

Gjovalin Prendi, 64 vjeç u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 17 prillit në Pllanë të Lezhës. Viktima është babai i 32-vjeçarit të ndjerë, Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua më 9 maj të 2024-s në Greqi. Dyshohet se kanë qenë 4 autorë, të cilët kanë lëvizur me automjet tip ‘Porsche’. Dy prej tyre, të maskuar, kanë dalë nga makina ndërsa njëri ka qëlluar me breshëri automatiku në distancë të afërt, duke e lënë të vdekur Gjovalin Prendin, i cili ndodhej në pjesën e verandës të lokalit të tij.

Mjeti, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së Gjovalin Prendit është gjetur i djegur pranë një kanali në afërsi të fshatit Fushë Gjormë. Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, pasi djali i viktimës, Roan Brahimi, i cili u vra në maj të vitit 2024 në Greqi, është i përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Advertisement